Maqedoni
Kovaçevski në vizitën e parë zyrtarë në Bruksel: BE, njëzëri që RMV të fillojë negociatat
04.02.2022 15:09
Institucionet e Unionit Evropian vlerësojnë intensifikimin e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes...

Institucionet e Unionit Evropian vlerësojnë intensifikimin e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes dhe inkurajojnë palët që të gjejnë zgjidhje, e cila do të mundësonte fillimin pa vonesë të bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE. Në kuadër të vizitës dyditore në institucionet e BE-së, kryeministri Kovaçevski takoi kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell; kryetaren e re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsolla dhe kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla von der Lajen.
“Përpjekja e dy vendeve për të gjetur zgjidhje dhe intensifikim të dialogut është e qartë dhe është përshëndetur. Në bisedimet me miqtë tanë Sharl Mishel në Këshillin Evropian dhe Roberta Metsolla në Parlamentin Evropian u konfirmuar përkrahja e hapur për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare. Këtu të gjithë janë unison se Maqedonia e Veriut, menjëherë, duhet të fillojë negociatat për anëtarësim në Unionin Evropian.”, ka thënë kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në takimin me kryetarin e Këshillit Evropian Sharll Mishell, kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria e re e mban fokusin në fushat kryesore reformuese për evropeizimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik si dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ndërkaq, në takimin me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla von der Lajen, ku morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryeministri Kovaçevski theksoi pritjet e tij që gjatë kryesimit të Francës me BE-në, Komisioni Evropian të intensifikojë angazhimet për të ndihmuar zhbllokimin e procesit të zgjerimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Me rëndësi të madhe në atë proces është përfshirja e Komisionit Evropian dhe Kryesimi i Francës me BE-së për të mundësuar që zgjidhjet të jenë në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane.”- ka deklaruar Kovaçevski.
SHPËTIM NUREDINI
