Maqedoni
Maqedonia e Veriut dhe Turqia, thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjetikës
05.02.2022 13:35
Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës...

Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës që do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në fushën e gazifikimit të vendit.
Kjo u dakordua mes ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe homologu i tij turk, Fatih Donmez në një takim dypalësh në kuadër të Takimit të Tetë Ministror të Këshillit Këshilldhënës të Korridorit Jugor të Gazit, në Baku të Azerbajxhanit.
Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan drejtimet e mundshme për zhvillim në fushën e energjetikës, duke marrë parasysh zhvillimet e politikave energjetike në botë dhe Evropë, si dhe krizën energjetike. Ministri Bekteshi informoi se dy kompani turke janë në garë për përzgjedhjen kompanisë që do të ndërtojë rrjetin e shpërndarjes së gazit në vend me partneritet publik-privat. Procesi është në fazën përfundimtare dhe deri në fund të vitit duhet të përzgjedhet një kompani”.
Dy ministrat u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm tradicional në fushën e ekonomisë me shpresë që në të ardhmen ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë. Në kuadër të takimit ministror në Baku, ministri Bekteshi pati një takim joformal edhe me ministrin e Energjisë së Republikës së Bullgarisë, Aleksandër Nikolov.
Dy ministrat shkëmbyen mendime për realizimin e projekteve të përbashkëta energjetike, para së gjithash për lidhjen interkonektive të gazit të Petriçit dhe Strumicës, si pjesë e procesit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve fqinje.
Në Baku, ministri Bekteshi kishte takim joformal edhe me Komisioneren Evropiane për Energjetikë, Kadri Simpson, me të cilën biseduan për planet dhe investimet për zhvillimin e sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut, në radhë të parë për investime në lidhje me gazin në rajon”.
