Maqedoni
Hetuesi bullgar Petrov, shkak për tragjedinë është gabimi njerzorë
05.02.2022 16:46
Hetimi për aksidentin e trafikut në autostradën Struma në Bullgari, ka përfunduar...

Hetimi për aksidentin e trafikut në autostradën Struma në Bullgari, ka përfunduar, dhe sipas rezultateve, shoferi i autobusit është fajtori për aksidentin tragjik, ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Kështu ka deklaruar hetuesi i Shërbimit Hetimor Kombëtar Bullgar Mladen Petrov për televizionin BTV.
“Është vërtetuar pa mëdyshje nga provat dhe ekspertiza se tragjedia në autostradën ”Struma” është shkaktuar nga sjellja e shoferit. Vetëm veprimi i tij është arsyeja që kjo situatë të ndodhë dhe të kthehet në një aksident që përfundon me një rezultat të këtillë”, u shpreh Mlladen Petrov nga shërbimi hetimor kombëtar Bullgar.
Sipas tij, ekspertiza ka konstatuar se përfundimisht nuk ka pasur lëndë djegëse në autobus.
“Në situatën konkrete, largimi i autobusit nga korsia aktive dhe goditja e murit mbrojtës ka sjellë depërtim dhe shkatërrim të elementeve strukturore, ngjeshje të rezervuarit, ngjeshje të përmbajtjes së tij. Kjo shoqërohet me shpërndarje të bollshme të shkëndijave të shkaktuara nga fërkimi, i cili ka arritur temperaturën dhe presionin e kërkuar për ndezjen e karburantit”, theksoi Petrov.
Lidhur me spekulimet se incidenti është udhëhequr nga sinjalizimi i dobët në autostradën Struma, Petrov shtoi se dukshmëria ka qenë në rregull. Sipas Petrov, tabelat horizontale rrugore dhe shenjat anësore ishin pak të zbehura, por jo të padukshme.
Në aksidentin tragjik në Bullgari 45 persona humbën jetë, ndërsa 7 arritën të dalin nga autobusi dhe të shpëtojnë.
NAIM RAMADANI
