Maqedoni

VMRO akuzon MPB-në për tender të dyshimtë, MPB: VMRO-DPMNE po dezinformon

05.02.2022 18:11

VMRO-DPMNE ka akuzuar se MPB-ja në janar ka miratuar një tender prej gjysmë milioni euro...

VMRO-DPMNE ka akuzuar se MPB-ja në janar ka miratuar një tender prej gjysmë milioni euro për kolektorë diellorë për ujë të ngrohtë dedikuar pothuajse për të gjithë sektorët dhe pushimoret e ministrisë për punë brendshme në të gjithë vendin.
 
Zëdhënësi i kësaj partie Naum Stoilkovski  thotë se sipas Regjistrit Qendror,dhe sipas të dhënave në Drejtorinë e të hyrave publike, kompania DON HOLDING DOOEL- Shkup është kompani që merret transport.
 
“MPB-ja e Oliver Spasovskit në janar ndan një tender prej gjysmë milioni euro për kolektorë diellorë, ata për ujë të ngrohtë e jo për rrymë. Bëhet fjalë pothuajse për të gjithë sektorët dhe pushimoret e ministrisë për punë brendshme në të gjithë vendin. Fitues i këtij tenderi të kripur është kompania DON HOLDING DOOEL nga Shkupi, në konkurrencë me një tjetër ofertë të marrë nga MPB-ja, nga një kompani që sipas portofolit ka 20 vite përvojë dhe sukses dhe e specializuar për kondicioner, energji diellore dhe ujëslellës”, u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski. 
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i MPB-së. Sipas tyre  në vitin 2021, në përputhje me strategjinë për ministri me efikasitet energjetik dhe mjedisor, përveç heqjes nga përdorimi i drunjëve të zjarrit dhe mazutit, kishin planifikuar një procedurë për instalimin e sistemeve diellore.
 
Procedura e parë, sipas ministrisë, është shpallur në shtator të vitit 2021 dhe ka përfunduar me anulim sepse ka ngelur vetëm një ofertë e pranueshme, nga tre të paraqitura.
 
“Në dhjetor 2021 është shpallur sërish procedura, janë dorëzuar dy oferta, nga të cilat pas analizës është marrë vendim përzgjedhës dhe është përzgjedhur oferta e Don Holding, e cila ka qenë brenda vlerës së parashikuar. Në të dyja procedurat e zhvilluara kriteret kanë qenë të njëjta, gjegjësisht janë kërkuar kushtet minimale për vërtetimin e kompetencës të parashikuara me Ligjin për Prokurim Publik dhe nuk ka pasur asnjë kriter tjetër”, thonë nga MPB
 
NAIM RAMADANI