Profesorët formojnë plenumin e tyre

26.12.2014 16:17

Të ndikuar ndaj Plenumit Studentor edhe profesorët universitarë kanë formuar plenumin e tyre, për të kundërshtuar reformat në arsimin sipëror të propozuar nga qeveria....

Edhe Rektorati i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ka kërkuar nga qeveria tërheqjen nga procedura kuvendore të propozim-ligjeve që kanë të bëjnë me arsimin sipëror. Profesoresha e Fakultetit Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Gordana Siljanovska, duke iu bashkangjitur kundërshtimit të profesorëve, theksoi se vendimi i tyre dhe i rektoratit vjen pas reagimit të studentëve.

“Drejtuesit e rektoratit e kanë njohur profesorin në vetvete dhe kanë marrë vendim të nënshkruar nga të gjithë dekanët, se menjëherë do të kërkojnë tërheqjen e ligjit nga kuvendi. Prandaj vlerësoj se ia vlente që studentët e zgjuan profesorin tek ne”- deklaroi profesoresha, Gordana Siljanovska.

“Ne si këshill arsimor shkencor, i kemi refuzuar të gjitha propozim-ligjet të cilat qeveria në mënyrë unanime do t’i marrë. Ne kemi qenë të anashkaluar gjatë përpilimit, sidomos të Ligjit për Fakultetet Pedagogjike dhe jemi të njëzëshëm se duhet të refuzohen. Jemi për reforma, por ato duhet të jenë të konceptuara në mënyrë të përbashkët, duke filluar nga fakultetet, arsimtarët, institucionet edukativo-arsimore e kështu me radhë”- tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Emil Sulejmani.

Pjesë e Plenumit të Profesorëve janë edhe disa profesorë nga Universiteti i Evropës Juglindore. (Gyltene Sinani, TVM2)