Arifi: Me punë kemi arritur ta ndryshojmë Tetovën
Sfida për të pasur një qytet me një infrastrukturë moderne, i bazuar në vlera kulturore, një qytet i cili do të udhëhiqet në mënyrë institucionale, ka qenë dhe mbetet forma jonë e veprimit....

Me këto fjalë, kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, iu është drejtuar banorëve të këtij qyteti në fund të këtij viti. Arifi, ka numëruar aktivitetet që janë realizuar brenda këtij viti në sektorin social, kulturor dhe zhvillimin infrastrukturor.
“Si rezultat i kësaj forme transparente të veprimit, ne kemi arritur që brenda një viti të bëjmë ndryshimet tona për sa i përket rrjetit infrastrukturor, rrjetit të rrugëve, stabilizimit të procesit tek ndërmarrja dhe te komuna jonë, si dhe standardet në procesin arsimor. Ishte ky vit kur për herë të parë ishim shumë strikt në implementimin e kritereve të regjistrimit në shkollat e mesme, që dha rezultate të drejtpërdrejta në faktin dhe në shpërndarjen e drejtë të nxënësve. U bëmë qyteti kryesor sa u përket zhvillimeve kulturore”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Arifi, u premtoi qytetarëve se do të vazhdojë me të njëjtin avaz, pavarësisht nga vështirësitë dhe problemet e shtresuara.
Ndryshe, këshilltarët e Komunës së Tetovës, në seancën e fundit kanë miratuar edhe buxhetin për vitin 2015 me 17 vota pro dhe 11 kundër. Kundër këtij buxheti kanë qenë këshilltarët e PDSH-së dhe të RDK-së. (Naim Ramadani, TVM2)
