Jahjaga: U parandalua një veprim terrorist

26.12.2014 16:41

Pas arrestimit të shtetasit serb në Prishtinë me një sasi eksplozivi prej 13 kilogramësh, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajn....

Takimi ka pasur për qëllim të vlerësojë gjendjen e sigurisë në Kosovë, pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet. “Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrenë sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident”- thuhet më deklaratën e presidentes Jahjaga. Ajo po ashtu u ka bërë thirrje shteteve të rajonit që të bashkëpunojnë “në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë”.