Studentët sërish protestuan para qeverisë

26.12.2014 17:20

Me parullat “Test për Qeverinë”, “Jo provimit shtetëror”, “Ne ju zgjodhëm, ne mund të ju rrëzojmë”, “USHT, kundër testimit ekstern” mijëra studentë para qeverisë kërkuan të anulohet propozimi për aplikimin e provimit shtetëror, sepse, siç u tha, në këtë mënyrë cenohet autonomia e universiteteve dhe dëmtohen vetë studentët....

Ata kërkuan nga Ministria e Arsimit që reformat në arsim të realizohen në konsultim me të gjitha palët.

“Stop reformave joadekuate, arma jonë nuk është dhuna. Arma jonë janë fjalët, argumentet, kushtetuta dhe mendimi i lirë. Ne kërkojmë reforma adekuate”- deklaroi Darko Malinovski nga Plenumi Studentor.

“Ne jemi dëshmitarë se pushteti nuk guxon ta politizojë arsimin dhe për të mbuluar dështimet e tyre politike të devalvojnë çdo vlerë arsimore, si dhe të shkelin mbi dinjitetin e studentit dhe profesorit. Sot këtu studentë nga e gjithë Maqedonia po i themi “JO” manipulimeve me studentë, jo nënçmimit”- tha Daim Luçi nga Unioni Studentor Shqiptar.

“Studentë, si po ndjeheni përderisa ne këtu po ngrihemi për të drejtat të cilat duhet t’i kemi të garantuara? Shkollarë të mesëm, si po ndjeheni para se të jeni regjistruar në fakultet, ju është garantuar ferri. Prindër, si po ndjeheni kur fëmijët tuaj keqtrajtohen nëpër universitetet tona, ndërsa djemtë dhe vajzat e politikanëve mësojnë nëpër universitete prestigjioze”- u shpreh një student.

Protestës së sotme iu bashkëngjitën edhe profesorët, nxënësit e shkollave të mesme, prindërit dhe qytetarët. (Sanije Kasami, TVM2)