Komisionet kuvendore miratuan reformat në arsim
Pakoja e ligjeve për reforma në arsim kaloi filtrin e parë në Komisionin Parlamentar për Arsim, Kulturë dhe Sport. Shkelet ose jo autonomia e universiteteve me propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Arsim të Lartë?!...

Sipas ministrit të Arsimit dhe deputetëve të shumicës parlamentare, jo; sipas opozitës, propozim-ligji cenon autonominë dhe është jokushtetues.
“Me faktin që Këshillin për Akreditim e zgjedh parlamenti, ndërsa parlamenti njëkohësisht është edhe themelues i universiteteve publike dhe fakti që Këshilli për Akreditim do ta udhëheq gjithë procedurën e provimit shtetëror, konsiderojmë që nuk cenohet autonomia e universiteteve”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Po, provimi shtetëror, i cili nxiti reagime, paraqet vetëm një provim për studentët, për të cilët e di me siguri se janë të përgatitur ta japin dhe nuk është pengesë aplikimi i një provimi të tillë, që ka për qëllim të na bind se studentët kanë njohuri që mund t’i aplikojnë”- tha Ollga Najdenovska nga VMRO-DPMNE.
“Autonomia e universitetit, kushtetuta, debati publik, shoqëria akademike apo vetë demokracia, siç duket ka kohë që për këtë pushtet s’kanë asnjë kuptim”- theksoi deputet i PDSh-së, Bekim Fazliu.
“Ky ligj është jokushtetues. Bëhet fjalë për universitet me autonomi të garantuar dhe liri akademike. Kjo është “arra” me të cilën qeveria do të thyej dhëmbët”- u shpreh deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
Gjatë hartimit të propozim-ndryshimit të Ligjit për Arsim të Lartë, propozuesi është udhëhequr nga parimi që të mos cenohet autonomia e universiteteve, procesi i Bolonjës dhe ligji të mos ketë efekt retroaktiv.
Provimi shtetëror do të jetë kompetencë e Këshillit për Akreditim. Provimi parashihet të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë do të jepet pas përfundimit të 50% të provimeve. Studentët do të kalojnë provimin shtetëror nëse u përgjigjen saktë 60% të pyetjeve.
Dështimi në provim nuk do të pengojë studentët që të regjistrojnë dhe të ndjekin ligjëratat e vitit të tretë. Dhënia e provimin nuk do të vlerësohet me notë, por me vlerësimin: e kaloi ose nuk e kaloi provimin. Këtij provimi do t’i nënshtrohen studentët që do të regjistrohen nga viti akademik 2015/2016. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
