Maqedoni
Gostivar, Pendarovski shoqëron Ëmblën për në shkollë
07.02.2022 18:19
Kryetari i vendit, Stevo Pendarovski e përcolli sot 11 vjeçaren Ëmbla Ademin për në shkollë...

Kryetari i vendit, Stevo Pendarovski e përcolli sot 11 vjeçaren Ëmbla Ademin për në shkollë. Paraprakisht presidenti Pendarovski, qendroi për vizitë te familja Ademi, ndërsa nga oborri i shkollës së Ëmblës dërgoi mesazhin se fëmijët me zhvillim atipik jo vetëm që duhet të gëzojnë të drejtat që meritojnë, por edhe të ndjehen të barabartë dhe të mirëpritur në botën që u takon natyrshëm – bankat dhe oborri i shkollës. Është detyrimi ynë tha ai, si shtet, por edhe si individë, dhe inkluziviteti duhet të jetë parimi bazë.
“Në letër jemi të barabartë por në jetën reale nuk është pikërisht ashtu. Kam ardhur të jap mbështetje atje ku mundem dhe nga kjo pozitë që jam nëse mundem të rrisë ndërgjegjen për të kuptuar se ka edhe njerëz që kanë nevoja ndryshe, por janë pjesë e jona dhe nuk mundemi t’i hedhim. Inkluzioni është princip bazë që duhet ta mbështesim në raste të këtilla e ky nuk është i vetmi në Gostivar pasi ka edhe të tjerë siç ka në të gjithë Maqedoninë”, u shpreh presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Taravari, Ëmbla vuan edhe nga autizmi
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një konferencë për shtyp, ka shpalosur detaje të reja në lidhje me rastin e Ëmbla Ademit, vajza e cila vuan nga sindroma Down. Sipas tij, Ëmbla vuan edhe nga autizmi.
Prindët, Ëmbla vuan vetëm nga sindromi down
I menjëhershëm ka qenë reagimi i familjes së Ëmbla Ademit. Babai i saj, Ilir Ademi u tha mediave se vajza e tij nuk vuan nga autizimi ndërsa edhe sindroma Down është i butë tek ajo.
Ëmbla Ademi javën e kaluar u rikthye sërish në shkollë, pasi nuk e kishte filluar gjysmëvjetorin e dytë shkollor sikurse të gjithë bashkëmoshatarët e saj.
LULZIM HAZIRI
