Botë

Gjukanoviç, Serbia synon aneksimin e Malit të Zi

07.02.2022 18:38

Presidenti malazez Milo Gjukanovic ka bërë të ditur se partia e tij do të mbështesë qeverinë e pakicës...

Presidenti malazez Milo Gjukanovic ka bërë të ditur se partia e tij do të mbështesë qeverinë e pakicës së propozuar nga zv/kryeministri Dritan Abazoviç.
 
Do të mbështesim “çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të vendit, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt” ka thënë Gjukanoviç në një intervistë për Dojçe Wele. 
 
Përkrahjen ndaj Abazoviç,  ai e argumentoi me atë se “ do të ishte shumë e  rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.
 
Qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, “njëra prej të cilave është koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe. Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”.
 
Nacionalizmi serbomadh nga Beogradi kuptoi se fitorja e të preferuarve të tyre hapi derën për një aneksim të ri të Malit të Zi, këtë herë përmes projektit “Bota Serbe”. Kjo nuk ndodhi sepse kishim një opozitë me përgjegjësi shtetërore të drejtuar nga DPS”, është shprehur Gjukanoviç.