U debatua, por nuk u votua për mandatet e opozitës

26.12.2014 17:46

Kuvendi nuk arriti sot t’ua marrë mandatet deputetëve të opozitës maqedonase, pasi që nuk mundi të sigurojë 2/3 e votave, respektivisht mbështetjen e 82 deputetëve të shumicës...

Madje, deputetët e BDI-së kanë votuar të përmbajtur për pikën e vetme të rendit të ditës, që ishte marrja e mandateve të deputetëve të opozitës.

Për këtë arsye, kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, mundësoi që në seancën e sotme të zhvillohet vetëm debat për marrjen e mandateve për secilin deputet në veçanti, por megjithatë, asnjë nga deputetët e pranishëm në seancë nuk mori fjalë për të debatuar edhe pse Veljanovski disa herë bëri thirrje.

“Hapë debat për propozimin për marrjen e mandatit për deputetin, Goran Misovski, i bëj thirrje propozuesit dhe deputetëve, që duan të flasin në debatin për marrjen e mandatit të deputetit, Goran Misovski, të paraqiten për fjalë”- tha kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, deklaroi për gazetarët se integristët morën qëndrim të jenë të përmbajtur për shkak se bojkoti nuk është mekanizëm politik në funksionimin e demokracisë parlamentare.

“Ne ashtu siç tha kryetari jonë, sot i jemi përmbajtur vendimit dhe vlerësimit tonë politik për të mos votuar në favor të marrjes së mandatit të cilitdo qoftë deputet si i zgjedhur i popullit në kuadër të punës së parlamentit, si organ më i lartë ligjvënës dhe në fakt organ më i lartë politik në çdo demokraci parlamentare. Ky është edhe një rast dhe mundësi që ne të përsërisim ftesën tonë për opozitën maqedonase që të rikthehet në punën e kuvendit dhe bashkërisht me shumicën parlamentare të punojmë në rivendosjen e dialogut politik në kuadër të institucioneve të vendit”- deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Deputetja Mehmeti, shtoi se BDI-ja nuk mbështet asnjë ide politike, e cila ka për qëllim marrjen e mandatit të ndonjë deputeti cilido qoftë ai.

Kryetari i Kuvendit, Veljanovski, nuk ka njoftuar se do ta caktojë seancën e radhës, ku do të kërkohet të votohet marrja e 31 mandateve të opozitës. Pas kësaj, LSDM-ja ka reaguar, duke thënë se gjithçka që ndodhë në 8 muajt e fundit në kuvend në lidhje me mandatet e opozitës, është në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet.

Nga partia e Zaevit ritheksuan qëndrimin për të mos u kthyer në parlament, për aq kohë sa qeveria nuk pranon bisedime për temat kryesore, që sipas saj, do të rikthenin demokracinë dhe të drejtën për zgjedhje të lira të qytetarëve. (Mefail Ismaili, TVM2)