Maqedoni
Kodi Zgjedhor, Anti-korrupsioni kërkon ndryshim të tërësishëm
08.02.2022 14:30
Komisioni Anti-korupsion kërkon ndryshim të tërësishëm të Kodit Zgjedhor dhe jo ndryshime parciale para zgjedhjeve...

Komisioni Anti-korupsion kërkon ndryshim të tërësishëm të Kodit Zgjedhor dhe jo ndryshime parciale para zgjedhjeve. Kërkesa do t’i dorëzohet të mërkurën kuvendit nëpërmjet një raporti që ngërthen analizën e ndryshimeve të shumta, funksionimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Në dhjetë vitet e fundit janë bërë 32 ndryshime në kodin zgjedhor, në prag të marrjes së vendimit për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, e që sipas anëtares së komisionit anti korrupsion Katica Nikollovska hap mundësinë për korrupsion të partive politike.
“Duke pasur parasysh ndryshimet e shumta në kodin zgjedhor, pikërisht në rregullimin e fushatës zgjedhore, financim, reklamim dhe raportim, ne si komision Antikorrupsion propozojmë që të gjitha këto dispozita të cilat kanë të bëjnë me këto aktivitete të hiqen nga kodi zgjedhor dhe të përfshihen në ligjin për financimin e partive politike. Në këtë mënyrë do të mundësohet që kodi zgjedhor të rregullojë problemet vetëm në organizim dhe realizim të zgjedhjeve dhe avancimin e të drejtës së votimit.”,- tha anëtarja e Komisionit Anti-korrupsion, Katica Nikollovska.
Analiza e bërë flet për donacione të dyshimta dhe jo transparencë të funksionimit dhe financimit të 49 partive edhe përkundër financimit të tyre nga buxheti i vitit 2022 me 3.4 milion euro.
“31 parti kanë faqe të internetit, nga të cilat vetëm 7 kanë përmbushur obligimet për raportim dhe i kanë publikuar raportet për donacione të marra, 3 parti pjesërisht kanë publikuar raportet, 18 parti nuk kanë publikuar kurrfarë raporti, ndërkaq 3 parti nuk kanë faqe aktive të internetit. Kjo flet për një jo transparencë të madhe të partive politike.”,- theksoi Nikollovska.
Komisioni Anti-korrupsion konsideron se me vendosjen e Kodit Zgjedhor si tërësi në tavolinën e bisedimeve, do të mund që disa cikle zgjedhore të kalojnë pa kurrfarë ndërhyrjesh të reja.
MERAL ISMAILI
