Maqedoni
Rritja e pagës minimale, Qeveria dhe LSM arritën marrëveshje - Rroga minimale do të rritet në 18.000 denarë
08.02.2022 14:57
Pagë minimale 18 mijë denarë është marrëveshja e arritur mes sindikatave, punëdhënësve dhe qeverisë....

Pagë minimale 18 mijë denarë është marrëveshja e arritur mes sindikatave, punëdhënësve dhe qeverisë. Vendimi do të hyjë në fuqi nga muaji mars dhe do të përfshijë rreth 80.000 punëtorë të ndërmarrjeve të vogla të sektorit të tregtisë dhe industrisë përpunuese.
“Rritja e pagës minimale në 18.000 denarë që punëtorëve do të duhet t`u paguhet në fillim të Prillit është masë që përfshin ndërmarrjet mikro dhe të vogla, tregtinë, industrinë e përpunimit dhe industri tjera të rëndësishme në vend. Kjo shumë paraqet rritje të pagës – neto për këta punëtorë për rreth 45 euro në muaj.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë shprehën kënaqësinë që u arrit marrëveshje rreth propozimit të tyre.
“Fituam pagë minimale që është 62% nga paga mesatare, fituam një metodologji të re. Shkojmë më tej, do të hapim debatin për regres apo K-15 për sektorin publik. Falënderoj edhe punëdhënësit që nuk na penguan për pagën minimale, për shkak se panë nevojën ekzistenciale që punëtorët në të ardhmen të jetojnë me dinjitet në këtë vend, e jo të largohen.”,- tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Miteva: E mbështesim, ndërhyjmë me amendamente
Kjo marrëveshje pritet të konkretizohet me votimin në Kuvend të propozim Ligjit për Pagë Minimale. Ky propozim-ligj pritet që të marrë edhe përkrahjen e opozitës.
Nga VMRO-DPMNE shprehen se do të mbështesin këtë masë, por që do të intervenojmë me amendamente të përcaktuara në mënyrë që ta bëjnë Ligjin më gjithëpërfshirës.
“Përmes intervenimit me amendament në ligj do të kërkojmë respektim të marrëveshjeve kolektive dhe koeficientëve të vendeve të punës të ndërlikuara, kur do të paguhen pagat e të gjithë të punësuarve në administratë. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së është më ndryshe, të ketë më shumë për të gjithë qytetarët, e më pak për qeverinë e korruptuar të LSDM-së dhe BDI-së.”,- theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Tasevska: Është rritur falë politikave tona
Nga LSDM thonë se paga minimale është rritur falë politikave të tyre. Ata thonë se përderisa në kohën e VMRO-DPMNE-së paga mesatare ishte 8900 denarë, tani ajo kap vlerën e 18 mijë denarëve.
“80.000 bashkëqytetarë tanë do të marrin rrogën e marsit me së paku 18.000 denarë. Në përqindje për 45 euro më shumë të hyra për secilin punëtorë në kohë të krizës energjetike. Në kohë të VMRO-DPMNE-së punëtorët kanë pasur mezi 8900 denarë pagë minimale. VMRO-DPMNE si qeveri me vite të tëra e mbante rrogën minimale të ngrirë, dhe deri sot kanë kundërshtuar rritjen e pagës minimale.”,- u shpreh Lidija Tasevska nga LSDM.
Paga minimale prej 18 mijë denarë u dakordua pas një sërë takimesh mes sindikatës, punëdhënësve dhe qeverisë.
ERSAN PAJAZITI
