Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Dafçeva: Është premtim i LSDM-së

08.02.2022 15:55

VMRO-DPMNE sfidon oponentin politik në pushtet, përkatësisht LSDM-në që të plotësojë premtimin elektoral....

VMRO-DPMNE sfidon oponentin politik në pushtet, përkatësisht LSDM-në që të plotësojë premtimin elektoral për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe administrimin e vendit si një njësi zgjedhore. “Nisma e VMRO-DPMNE-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk është qëllimi i grupit parlamentar i kësaj partie për të bindur deputetët e tjerë për një gjë të tillë, por është premtim zgjedhor i LSDM-së.”– thotë deputetja, Gordana Siljanovska Dafçeva.
 
“Edhe unë kam argumente pro dhe kundër një njësie zgjedhore, por hajde të diskutojmë. Mos ndodh që pak para zgjedhjeve, si tregtarët e Venedikut, të ndryshojmë rregullativën zgjedhore. Ideja ishte hajde të ulemi dhe të shohim përvojat krahasuese, të krahasojmë zgjidhjet dhe më pas është legale dhe legjitime që partitë politike të kenë propozimet e tyre.”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Dafçeva.
 
Vançeva: Nisma duhet të jetë me konsensus
 
LSDM pranon që kjo çështje është pretim i tyre dhe meriton debat, por konsideron se nisma duhet të jetë e përbashkët, në parim e dakorduar paraprakisht.
 
“Çdo çështje meriton debat, posaçërisht hapja e Kodit Zgjedhor, por ajo duhet të fillojë me grupe pune, grupe ekspertësh dhe debate publike që të kuptojmë se çfarë është e domosdoshme dhe për të cilën pajtohen të gjitha partitë politike, posaçërisht ato që janë të përfaqësuara në Kuvend.”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska Vançeva.
 
Të dy palët pretendojnë se po bëjnë konsultime me partnerët e koalicionit dhe partitë parlamentare. Dhe përderisa dy partitë e mëdha maqedonase, të paktëndeklarativisht, janë pro kërkesës së partive më të vogla për një njësi zgjedhore, partitë shqiptare s’janë dakord. BDI konsideron se gjashtë njësi zgjedhore janë zgjidhja me e mirë, Lëvizja Besa propozon tre njësi zgjedhore, ndërsa ASh tetë njësi zgjedhore.  
 
SHPËTIM NUREDINI