Maqedoni

Deklarata e VMRO-DPMNE-së për Goce Dellçevin, Osmani: Nuk i shërben bisedimeve dypalëshe

08.02.2022 16:20

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka komentuar deklaratën e VMRO-DPMNE-së për figurën e Goce Dellçevit...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka komentuar deklaratën e VMRO-DPMNE-së për figurën e Goce Dellçevit të  dorëzuar në Kuvend. Thotë se kjo e kthen prapa procesin e bisedimeve me Bullgarinë për tejkalimin e dallimeve. Palët nuk duhet të hyjnë në gara të këtilla, sepse kjo, sipas Osmanit, nuk e ndihmon dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje.
 
“Nëse hyjmë në një garë të këtillë ne sot me Goce Dellçevin, nesër Kuvendi bullgar të nxjerrë tekst edhe më të fuqishëm për Goce Dellçevin, pastaj sërish më vonë, ne futemi në rrethin magjepsës të marrëdhënieve, jo vetëm me Bullgarinë, por edhe në përgjithësi brenda në shtet. Ashtu që mendoj se nuk duhet historinë ta shfrytëzojmë si platformë për ndërtim të karrierave tona politike, për çështje dhe zënka ditore politike. Këto janë çështje për të cilat është shumë i rëndësishëm uniteti mbipartiak që të mbrohen disa çështje të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin, por para së gjithash, kjo të mos bëhet temë për zënka ditore politike.”,- ka thënë Osmani.
 
Raportet me fqinjët si dhe procesi eurointegrues i vendit ka qenë temë e bisedimeve e ministrit Osmani edhe në takim me ambasadorët e  BE-së të akredituar në vendin tonë. Diplomatëve evropianë Osmani iu ka thënë se shteti nuk heq dorë nga strategjia për integrim evropian si dhe po ashtu mbetet i përkushtuar në përmbushjen e kushteve për fqinjësi të mirë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU