Botë

Masat anti-Kovid, Italia planifikon heqjen e maskave. Protesta në Kanada, Australi e Zelandë të Re

08.02.2022 17:56

Italia mund të heqë detyrimin për mbajtjen e maskës në të gjithë territorin e saj prej 11 shkurtit...

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë italiane kanë thënë se vendimi është duke u diskutuar dhe do të jetë një shenjë shprese për italianët. Autoritetet shëndetësore italiane thanë se vala e infeksionit është në rënie dhe në 31 Mars mund të hiqet gjendja e jashtëzakonshme. 
 
Kërkesat për heqjen e kufizimeve dhe rikthimin në jetën normale po shtohen edhe në Gjermani. E përditshmja gjermane Bild ia bëri këtë kërkesë publikisht qeverisë përmes një artikulli, ku shkruan se nuk ka më arsye për kufizime teksa Omicron po i shndërron infektimet në një virozë të zakonshme.  
 
Ndërkohë, në Australi, Zelandën e re dhe Kanada po protestohet kundër masave kufizuese dhe vaksinimit të detyruar. Një numër i konsiderueshëm kamionësh kanë bllokuar rrugët përreth parlamentit të Zelandës së Re në Uellington për të protestuar kundër masave anti-Covid dhe vaksinimit, një iniciativë e frymëzuar nga ajo që po paralizon kryeqytetin e Kanadasë prej disa ditësh. 
 
Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë në Iran ka miratuar përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5 deri në 11-vjeç. Këshilli për luftë kundër virusit Korona ka bërë të ditur se është miratuar vendimi që fëmijët nga mosha 5 deri në 11-vjeç të mund të vaksinohen me vaksinat “Sinofarm” dhe “Pastocovac”, me dëshirën e prindërve. 
 
Në Kinë shkencëtarët kanë krijuar një test të ri për virusin korona, i cili është i saktë sikurse testi i llojit PCR, por që jep rezultat brenda katër minutave. Hulumtuesit e Universitetit “Fudan” në Shangai kanë thënë se kanë gjetur zgjidhje për të mos pritur me orë rezultatet e testimit, që kërkojnë edhe infrastrukturë laboratorike.
 
GYLTENE SINANI