Botë
OBSh: 16 miliardë dollarë për t’i dhënë fund pandemisë
09.02.2022 11:03
Organizata Botërore e Shëndetësisë, u bëri thirrje shteteve të pasura që të sigurojnë një fond prej 16 miliardë dollarësh...

Organizata Botërore e Shëndetësisë, u bëri thirrje shteteve të pasura që të sigurojnë një fond prej 16 miliardë dollarësh, për të financuar planin e luftës kundër Covid-19. ACT-A është një mekanizëm i krijuar nga agjencitë kryesore ndërkombëtare shëndetësore, si dhe nga Banka Botërore dhe Fondacioni Gates. Një nga aspektet e tij është sistemi COVAX, i cili u krijua në fillim të pandemisë, në përpjekje për të garantuar akses të barabartë të vaksinave në të gjithë botën. Në mes të janarit 2022, përmes kësaj skeme u shpërndanë mbi 1 miliard doza.
“Nëse shtetet me të ardhura të larta paguajnë pjesën e tyre për programin e përshpejtimit të ndihmës, atëherë shtetet me të ardhura më të pakta, mund të tejkalojnë nivelet e ulëta të vaksinimit, testimit dhe mungesës së mjekimeve.”,- tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Programi i plotë, sipas OBSH-së, ka nevojë për një financim prej 23,4 miliardë dollarësh, por deri tani, janë siguruar vetëm 800 milionë dollarë. Deri tani, vetëm 6 shtete Kanadaja, Gjermania, Kuvajti, Norvegjia, Arabia Saudite dhe Suedia , e kanë arritur ose tejkaluar nivelin e fondeve. Që nga fillimi i pandemisë, në të gjithë botën janë infektuar më shumë se 400 milion persona ndërkohë numri i viktimave ka shkuar në 5 milion e 761 mijë e 208. SHBA, India Brazili , Franca, Britania, Rusia dhe Turqia kryesojnë në listën e infektimeve dhe viktimave. Numri i rasteve në mbarë botën theu barrierën prej 300 milionë rastesh më 6 janar 2022.
GYLTENE SINANI
