Maqedoni

Policia në aksion, kapet 1.6 ton marihuanë me vlerë mbi 3 milion euro

09.02.2022 12:00

Tre persona nga Strumica kanë rënën nën pranga, pas dy aksioneve në të cilat u sekuestruan 1 ton e 600 kg. narkotikë...

Tre persona nga Strumica kanë rënën nën pranga, pas dy aksioneve në të cilat u sekuestruan 1 ton e 600 kg. narkotikë në vlerë prej 3 milionë e 200 mijë euro. Aksioni i parë u ndërmor në Strumicë ku tek një person i licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor, u gjet një ton e gjysmë marihuanë e padeklaruar. Edhe dy të arrestuarit e tjerë janë nga Strumica. Ata u kapën në Resnjë e në makinën e tyre u gjet 50 kg drogë.
 
“Është kryer kontroll tek një person juridik në Strumicë, i regjistruar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Për shkak të parregullsive në funksionimin e personit juridik, është sekuestruar marihuanë e padeklaruar në vlerë prej rreth 3 milionë euro, me peshë totale mbi një ton e gjysmë… Pothuajse në të njëjtën kohë, në rrugën Ohër – Resnjë, afër fshatit Jankovec, policia ka kontrolluar një automjet  udhëtarësh “Skoda Octavia” me targa të Strumicës, i drejtuar nga KM (38) nga fshati Saçevë i Strumicës, në të cilin pasagjer ishte MT (48) nga Strumica. Në makinë u gjetën tri thasë me marihuanë në vlerë të përgjithshme rreth 200.000 euro me peshë rreth 50 kilogramë… Pra,  policia për vetëm një ditë ka sekuestruar 1 ton e 600 kg lëndë narkotike në vlerë prej 3 milionë e 200 mijë euro. Ky është një tjetër tregues se lufta e pakompromis kundër krimit dhe lufta kundër trafikut të drogës vazhdon me ritme të përshpejtuara.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

REXHEP QAMILI