Maqedoni
Ligji i shtetësisë, ASh akuzon BDI-në për ngecje në marrjen e shtetësisë
09.02.2022 14:27
Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin për pengesat burokratike në dhënien e shtetësisë...

Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin për pengesat burokratike në dhënien e shtetësisë. Sipas deputetes Ilire Dauti, ministria e brendshme jo vetëm se nuk lehtëson procesin e marrjes së shtetësisë por paraqitet si pengesë.
“Ata janë pjesë e ekzekutivit dhe kanë zëvendësministër të punëve të brendshme dhe në qoftë se zëvendës ministri i punëve të brendshme para së gjithash dhe mbi të gjitha nuk do të ishte në shërbim të qytetarëve që kanë një hall të këtillë, janë faktet që vetë flasin e jo ne se duam të drejtohemi dhe ta etiketojmë dikë se është përgjegjës për ngecjet të cilat i kemi në ligjin konkret. Qytetari i thjesht nuk është i detyruar të dijë çfarë përmban propozim ligji për shtetësi sepse ka institucion konkret atje siç është edhe ministria e punëve të brendshme e cila duhet të jetë e azhurnuar dhe informuar mirë mbi ligjin i cili ka ardhur për shtetësi.”,- tha deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Bushi: ASK përgjegjëse për ngecjet, jo MPB
I kontaktuar nga TVM2, zëvendësministri Bushi thotë se MPB jep shtetësi, por me pëlqimin e Agjencia për Siguri Kombëtare.
“Procedura administrative për marrjen e shtetësisë është specifike sepse përfshin një sërë veprimesh zyrtare që nënkupton se pala duhet të siguron dëshmi për në procedurë, sigurohen dëshmi edhe nga MPB, por edhe nga institucione të tjera si ASK. MPB në mënyrë efikase bën grumbullimin e dëshmive për marrjen e shtetësisë, por për lëndët e ngecura ose mos dhënien e përgjigjes qoftë pozitive apo negative e sjell ASK, e cila nuk është në kompetencë të MPB-së.”,- theksoi zëvendësministri Bushi.
Kovaçevski: Punohet me tempo të shpejtuar
U prononcua edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke arsyetuar ASK – në se po punon me tempo të shpejtuar, por ngecjet shkaktohen nga 20 mijë kërkesat e trashëguara nga DSK si dhe kontrollet e shtuara.
“Tempoja me të cilën është punuar atëherë ka qenë më e ulët se sa tempoja me të cilën punohet tani, sa i takon kontrollimit të kërkesave. Nëse atëherë janë dhënë përgjigje për 100 deri në 200 kërkesa brenda muajit, tani kjo është rritur në mbi 1 mijë përgjigje. Edhe vetë kontrollet e të dhënave tani janë më të komplikuara pasiqë jemi anëtare e NATO–s.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ndryshimet në ligjin për shtetësi u miratuan në gusht të vitit të shkuar. Për marrjen e dokumentit nevojitet dorëzimi i vetëm një nga 16 dokumentet që kërkohen sikurse certifikata e lindjes, dëftesë shkollës së mbaruar, dëshmi për punë, tatim të paguar etj. Qytetarët përgjigjen duhet ta marrin për gjashtë muaj.
MERAL ISMAILI
