Ekonomi

Paga minimale, Kovaçevski: Opozita u bë "pro" kur ne arritëm marrëveshje

09.02.2022 15:13

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, fton VMRO-DPMNE-në që t’i dorëzojë....

Kryeministri,  Dimitar Kovaçevski, fton VMRO-DPMNE-në që t’i dorëzojë, siç paralajmëroi, amendamentet për Ligjin për pagë minimale. Por, fillimisht kërkoi që opozita të sqarojë se përse 1 vit në Kuvend e bllokuan Ligjin për transformimin e punësimit të 4700 arsimtarëve në të gjithë vendin. Shefi i ekzekutivit pohon se VMRO-DPMNE ka qenë kundër rritjes së pagës minimale, ndërsa qëndrimin “PËR” e kanë dhënë pasi është arritur marrëveshja. 
 
“VMRO ishte kundër ligjit për pagën minimale edhe kur u arrit marrëveshja e  kaluar për rritjen e pagës minimale. Edhe tani ishin kundër, por ndërruan mendje mbrëmjen që u arrit marrëveshja për rritjen e pagës minimale dhe një pjesë e tyre ndërruan, mendje ditën e nesërme, pasi u zgjuan nga gjumi... Gjatë gjithë vitit, VMRO-DPMNE-ja e bllokonte atë ligj, duke thënë se do të parashtronin amendamente për harmonizim të pagave. Le të parashtrojnë amendamente, por le të dalin para punëtorëve që të thonë a ishin ‘për’ pagën minimale dhe a e kanë bllokuar ligjin për transformimin e punësimit të mësimdhënësve. Së pari të përgjigjen e pastaj të flasim për amendamentet të cilat i japin në Ligjin për të cilin ishin kundër deri dje, ndërsa natën u bënë “pro”.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO-DPMNE: Jo nivelizim, të respektohen koeficientët
 
Nga “pallati i bardhë” ripërsëritën se mbështesin rritjen e pagës minimale, por mbeten në qëndrimin se do të intervenojnë në ligj me amendamente. Kërkesë e tyre është edhe respektimi i  marrëveshjes kolektive si dhe respektimi I   koeficientit për  kompleksitetin e vendeve të punës për punonjësit e sektorit publik.
 
“VMRO-DPMNE paralajmëron ndërhyrje me amendamente në këtë ligj me qëllim që mos të lejohet nivelizimi, gjegjësisht barazimi pagave dhe demotivimi i të punësuarve që kanë pagë më të lartë dhe vende të ndërlikuara pune. Pikërisht si grup parlamentar do të kërkojmë harmonizim të marrëveshjeve kolektive me pagën minimale prej 18 mijë denarë.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.
 
Ndryshimet në Ligjin për pagë minimale kaluan në seancë qeveritare dhe veç më janë dorëzuar në Kuvend. Kovaçevski thotë se rritja e pagave që nuk janë pjesë e pagës minimale, janë pjesë e marrëveshjes kolektive që qeveria  ka partnerët e saj,  varësisht nga institucioni dhe varësisht degës në të cilën realizohen.

SANIJE DURAKU