Tension në Komisionin për Sistem Politik, Eftimov: Doni të partizoni gjyqësinë
Tension në Komisionin për Sistem Politik...

Tension në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Deputetët e opozitës maqedonase të kryesuar nga VMRO-DPMNE disa herë i mbyllën mikrofonin kryetares së Komisionit, Sonja Mirakoska, duke e akuzuar atë dhe shumicën parlamentare se përpiqen dhunshëm të miratojnë Propozim-ligjin për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, për të partizuar gjykatat dhe prokurorinë.
“Ju doni të partizoni tërësisht edhe gjyqësinë edhe prokurorinë, pasi ju ka mbetur edhe një pjesë për të përfunduar këtë mision. Dhe tani dëshironi që dhunshëm të miratoni këtë zgjidhje ligjore pasi ashtu ju konvenon.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dajanço Eftimov.
Mirakoska: Po frenoni reformat në drejtësi
Mirëpo kryetarja e komisionit, Sonja Mirakoska, akuzoi opozitën se po përpiqet të frenojë reformat në drejtësi dhe përfshirjen e rekomandimeve të Unionit Evropian në ligj. Propozim-ligji është i harmonizuar me regullativat e Unionit, siguron Mirakoska.
“Askush në shtet nuk do t’ju besojë, po edhe sikur ju të ishit në pushtet, se po miratohet ligj për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë në kundërshtim me atë që BE do të konsideronte se është e drejtë. Pra janë dhënë rekomandime në vitin 2018 për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve publik.”,- theksoi kryetarja e Komisionit për Sistem Politik, Sonja Mirakoska.
Përpjekjen e parë për miratimin e këtij ligji opozita e bllokoi me mijëra amendamente, kështu që propozuesi e tërhoqi nga procedura parlamentare dhe e parashtroi me simbolin e BE-së, me gjasë, për evituar një bllokim të dytë.
Ndryshimet në Ligjin për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë parashohin përbërjen e organeve drejtuese dhe mandatin e tyre, ridefinim të mënyrës së dhënies së provimit pranues dhe provimit përfundimtar, shkurtimin e afateve për parashtrimin dhe shqyrtimin e kundërshtimeve dhe ankesave për rezultatet e provimit pranues dhe përforcimin e mënyrës së zbatimit të trajnimit të vazhdueshëm. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
