Incidenti në varrin e Goce Dellçevit, Petkov kërkon sqarim nga Kovaçevski

09.02.2022 16:13

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov....

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, nëpërmjet një bisede telefonike ka kërkuar nga homologu i tij Kovaçevski, që personalisht ky i fundit t’i japë sqarime për dëmtimin e kurorave të luleve në varrin e Goce Dellçevit të vendosura nga delegacioni bullgar në 150 vjetorin e lindjes së tij,  si dhe për dëmtimin e xhamave në qendrën kulturore bullgare në Manastir.

Kryeministri Kovaçevski siguron bullgarët se MPB ka ndërmarrë masat adekuate për t’i zbardhur rastet në fjalë.

“Njëra ishte e lidhur me prishjen e kurorave të luleve në varrin e Goce Dellçevit  ku e informova Petkovin se Ministria e Punëve të Brendshme,    në pajtim me procedurat rregullative, po bën hetimet dhe e dyta, ishte thyerja e xhamit në Manastir, ku sipas MPB-së, nuk bëhet fjalë për incident politik, por për incident të motivuar nga arsye tjera private dhe personi që e ka bërë atë akt tashmë ka dhënë deklaratë personale.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Bisedimet Shkup–Sofje, Kovaçevski: Opinioni do të informohet me kohë

Kovaçevski ka folur edhe për rrjedhën e bisedimeve dypalëshe për çështjet e hapura me fqinjit lindor. Çfarëdo që të jetë bilanci i bisedimeve me Sofjen, opinioni  do të informohet menjëherë, thotë i pari i ekzekutivit.

“Ministria e Punëve të Jashtme  është e obliguar për bisedime për këto çështje dhe  me 11 dhe 12 shkurt, MPJ e vendit dhe MPJ bullgare do të kenë takim, do të bisedojnë dhe punojnë në çështjet e hapura. Nëse do të arrihet përparim i cili normalisht do të jetë i pranueshëm nga palët  në bazë të vlerave evropiane dhe respektimit të palëve, atëherë MPJ  do të kumtojë, njëjtë siç pati raport ministri i jashtëm në komisionin për punë të jashtme.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Në këtë drejtim, Kovaçevski informon se  vazhdojnë  edhe angazhimet mes grupeve të punës, të cilët çdo javë takohen për të trajtuar çështjen e arsimit, kulturës, infrastrukturës dhe eurointegrimet. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)