Ekonomi
Rritja e pagës minimale, qytetarët: Nuk mbyllet muaji me 18 mijë denarë
09.02.2022 16:30
Qytetarët thonë se paga minimale prej 18 mijë denarë nuk është...

Qytetarët thonë se paga minimale prej 18 mijë denarë nuk është e mjaftueshme për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të një familjeje katër anëtarëshe.
Përveç harxhimeve aktuale, çdo familje nga janari po përballet edhe me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, faturave të energjisë elektrike dhe atyre të ngrohjes.
“18 mijë denarë nuk janë të mjaftueshme, megjithëse është më mirë se 15 mijë denarë. Shpenzimet janë të larta dhe me 18 mijë denarë nuk e mbulon muajin. Për një familje 4-anëtarshe është e pamundur, dy anëtarë me 18 mijë ndoshta është e mundur.”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk është e mjaftueshme, populli ka nevojë për më shumë. Me 18 mijë denarë nuk mund të bësh asgjë, të gjitha shpenzimet tjera janë rritur. I shohim çmimet të cilat janë rritur për 50, 60 diku edhe për 100%. Edhe 30 mijë denarë janë pak për vendet tona për një jetë normale të duhen më së paku 1500 euro.”,- tha një qytetar.
“Nuk është e mjaftueshme kjo rritje, është rritur nafta, ndërsa harxhimet janë bërë astronomike.”,- theksoi një qytetar.
Shitësit nuk presin rritje të punës së tyre tani pas rritjes së pagës minimale.
“Rritja e rrogës nuk do të thotë se mund të ketë më shumë punë për shkak se rritja është shumë pak në krahasim me rritjen e çmimeve të cilat i kemi.”,- u shpreh një shitës.
“Mendoj se është njëjtë, çmimet janë rritur jashtë mase dhe besoj se i njëjti standard do të jetë dhe nuk do të ketë ndikim.”,- deklaroi një shitës.
Blerësit thonë se çmimet janë të larta në krahasim me standardin e jetës.
“Ushqimi në përgjithësi, në bazë të kushteve dhe prodhimit që bëhet, nuk është shtrenjtë, mirëpo të ardhurat të cilat i merr popullata në përgjithësi 18 mijë denarë nuk është një standard i jetës.”,- tha një blerës.
“Ato që kanë rroga më të larta mund të blejnë, ndërsa është problem për ata të cilët nuk kanë.”,- theksoi një blerës.
Për të mbuluar nevojat minimale mujore për një familje 4 anëtarëshe, sipas shportës konsumatore, nevojiten 35.040 denarë.
GAZMEND KURTISHI
