Ndërtimi i infrastrukturës hekurudhore, gatishmëri për korridoret edhe përskaj krizës
Të gjitha qeveritë e rajonit...

Të gjitha qeveritë e rajonit mbeten të përkushtuara në ndërtimin dhe riparimin e korridoreve hekurudhore, theksoi ministri i transportit dhe lidhjeve në vend. Shtoi se janë në fazën e përzgjedhjes së kompanive dhe punimet në dy seksionet e para të hekurudhës drejt Bullgarisë pritet të fillojnë në pranverë dhe të përfundojnë brenda 36 muajve, ndërsa afati për pjesën e tretë është 48 muaj.
“Jemi gati të ndërtojmë 36 tunele dhe mbi 80 ura për në Bullgari për ta bërë hekurudhën funksionale dhe do ta bëjmë pa hezitim, sepse kjo është e ardhmja e rajonit - të lidhemi me të gjithë fqinjët tanë. Vetëm si kosto totale, pjesët lindore dhe perëndimore kapin mbi 1.1 miliardë euro investim në pjesën e Korridorit 8 dhe jemi gati ta bëjmë paralelisht me rehabilitimin që pason hekurudhat ekzistuese. Por edhe vendet e tjera kanë punë për të bërë, Bullgaria dhe Shqipëria të lidhen me vendin tonë që të jetë ky Korridor i plotë për lidhjen Lindje-Perëndim.”,- deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
Edhe krahas krizës aktuale shëndetësore dhe energjetike, shprehet gatishmëri mes vendeve të rajonit në ndërtimin e korridoreve u tha gjatë takimit të parë të drejtorëve të ndërmarrjeve të hekurudhave për infrastrukturën hekurudhore.
“Nëpërmjet këtij rrjeti, në bazë të marrëveshjeve të arritura mes vendeve të rajonit, do të kemi qasje më të lehtë në mjete dhe fonde nga BE”,- tha drejtori i N. P. “Hekurudhat”, Hari Lokvenec.
“Nëse dëshironi që hekurudhat të jenë të lidhura ndërsa tregu hekurudhor i qëndrueshëm duhet që patjetër i gjithë rajoni të punojë së bashku.”,- theksoi drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Transportues, Matej Zakonjsheg.
Sipas memorandumit të nënshkruar në Sofje nga Ministrat e Transportit pritet që ndërtimi të fillojë në vitin 2023 dhe lidhjet hekurudhore Lindore dhe Perëndimore në Shqipëri, Bullgari dhe vend duhet të përfundojnë deri në vitin 2030. (Leunora Kaliqi, TVM2)
