Raporti javor i IShP-së: Ulen infektimet te të rriturit, rriten te fëmijët

09.02.2022 17:31

Prej më 31 janar deri më 6 shkurt....

Prej më 31 janar deri më 6 shkurt janë regjistruar 147 fatalitete si pasojë e COVID-19, apo 0.7 % më pak se javën e kaluar, tregojnë të dhënat e ISHP-së. Pjesa më e madhe e vdekjeve i takojnë grupmoshës mbi 60 vjeç, që llogaritet si grupmosha më e ndjeshme.

Në një javë ka edhe një rënie të lehtë të numrit të infektimeve te të gjitha grupmoshat e të rriturve.

Gjatë një jave janë shënuar 9.982 infektime të reja  apo 16.2% më pak se java paraprake. Por, derisa numri i infektimeve tek të rriturit  është ulur për 23,9% në një javë,  ka rritje të infektimeve te  fëmijët.

Tek grup moshat 0-9 veç ka një rritje prej 21,4% dhe në moshat mbi 10-19 vjeç një rritje prej  16.5% në krahasim me javën e kaluar .Janë regjistruar gjithashtu edhe 1.340 ri-infektime në 7 ditë.

Nga fillimi i epidemisë janë 7.842 persona që janë infektuar për herë të dytë, kurse 20 të tjerë janë infektuar për herë të tretë.

Në spitalet Covid janë të hospitalizuar 717 pacientë, 6.9% më shumë se java e kaluar, 430 prej tyre janë me terapi oksigjeni, kurse 14 janë në ventilim mekanik. Deri tani në laboratorët e ISHP-së janë detektuar 255 pacientë pozitiv me variantin “Omicron”.

Maqedonia e Veriut mban vendin e katërt në botë për nga numri i viktimave për 100.000 banorë, por KSI pritet të ndryshojë mënyrën e numërimit të rasteve të vdekjeve nga virusi, duke  saktësuar se cilët persona kanë ndërruar jetë si pasojë e drejtpërdrejtë e Covid-19  dhe  cilat janë vdekje nga sëmundje të tjera të pacientëve të cilët  Covid-19 e kanë pasur sëmundje shoqëruese. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)