Përkujtohet Memedali Hoxha
LSHSHM-ja përkujtoi jetën dhe veprën e pedagogut, gazetarit dhe poetit shqiptar, Memedali Hoxha....

Në akademinë përkujtimore ishin të pranishëm shumë shkrimtarë, profesor universitar, artistë të fushave të ndryshme, familjarë etj, të cilët lexuan poezitë e tij të njohura.
Memedali Hoxha, lindi më 5 janar 1924 në Ladorisht të Strugës, rrjedh nga një familje e nderuar, me tradita arsimore e kombëtare.
Kryetari i LSHSHM-së, Kalosh Çeliku, tha se Kosova e kishte Esad Mekulin, ndërsa Maqedonia e kishte Memedali Hoxhën si figurë të shquar, që i ka prirë kulturës shqiptare.
“Punoi si mësues, pedagog, gazetar, redaktor i “Flakës së Vëllazërimit”, redaktor revistash për fëmijë, hartues e përpunues tekstesh e abetare shkollore dhe autor i artikujve të shumtë. Për punën e tij patriotike u burgos ne vitin 1968. Papritmas iku nga mesi ynë në vitin 1991, si burrë i punës vizionare për ditën e nesërme”- deklaroi kryetari i LSHSHM-së, Kalosh Çeliku.
Profesor dr. Nebi Dervishi, tha se Memedali Hoxha ishte figurë komplekse, vizionar dhe burrë i besës, fjalës dhe penës së artë.
“Gjerësia dhe vlerat artistike e radhisin atë si njërin ndër poetët e njohur jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Memedali Hoxha u shqua edhe në hartimin e abetares, me të cilën mësuan dhjetëra gjenerata, qindra e mijëra nxënës në Kosovë e Maqedoni nga viti 1967 e në vazhdim. Ai hartoi dhe redaktoi disa libra-leximi, me njërën më të cilën kam mësuar edhe unë”- tha profesor universitar, Nebi Dervishi.
Memedali Hoxha, si shumë mësues dhe intelektualë shqiptarë, nuk shihej me sy të mirë nga pushteti i atëhershëm, të cilët e përgjonin çdo lëvizje, duke pritur rastin ta njollosin si antishtetëror dhe antisllav. Ishte fundi i vitit 1968 kur Memedali Hoxha u arrestua në një ndeje rasti me një grup poetësh, në mesin e të cilëve ishte edhe Sllavko Janeski e Branko Gapo, të cilët i dolën si dëshmitarë në sallën e gjyqit.
Ai me këtë rast u tha “Do të vi koha kur ju do të fshini rrugët e Tiranës”.
Poezitë e tij i mëson çdo fëmijë edhe sot, ashtu siç i mësuan shumë gjenerata përpara. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
