Ekonomi
Bekteshi: Plan për parandalim të rritjes enorme të çmimeve
10.02.2022 14:44
Përveç ngrirjes së çmimeve të produkteve të caktuara, është bërë një plan shtesë...

Përveç ngrirjes së çmimeve të produkteve të caktuara, është bërë një plan shtesë për të parandaluar rritjen enorme të çmimeve të produkteve dhe inflacionin, informoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ky plan parashikon që marzha e produkteve të prodhimeve të jashtme të mos mund të jetë më e madhe se 5%. Kjo masë kryesisht do të përfshijë produkte ushqimore.
“Një nga opsionet është që të jepen marzhë e caktuar në pjesën e importit të produkteve ushqimore dhe në pjesën e tregtisë me shumicë dhe pakicë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë ngrirje të çmimeve, por vetëm se do të intervenohet në marzhën, duke pasur parasysh që disa produkte të cilat nuk prodhohen në shtetin tonë, por importohen, mund të kenë çmime shumë të larta, por me këtë masë do të ndikojmë te çmimet.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi: Kasami të publikojë kontratat për muajin janar
I pyetur rreth publikimit të listës së 812 kontratave kontratave të lidhura në Komunë të Tetovës, gjatë vitit 2021, Bekteshi tha se të dhënat duhet të publikohen në mënyrë transparente pa cenuar të dhënat personale, por tha se duhet të publikohen edhe kontratat për muajin janar të këtij viti.
“Do të kisha dashur të bëj thirrje që z. Kasami të publikojë kontratat në vepër edhe gjatë muajit janar dhe ato të cilat vetëm se janë nënshkruar edhe për muajin shkurt, që qytetarët të mund të bëjnë krahasimin si është bërë menaxhimi i Komunës së Tetovës në të kaluarën dhe si bëhet tani. Sa i përket mënyrës se si menaxhon z. Kasami, mendoj se është kryer më muaji i mjaltit dhe 100 ditëshi. Nuk duhet të merret shumë me atë se çfarë është bërë në të kaluarën, por të realizojë programin me të cilin e ka fituar besimin nga qytetarët e Komunës së Tetovës.”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, informoi se deri në fund të thirrjes publike janë pranuar 6 mijë e 500 kërkesa për mbështetje financiare për mbulimin e një pjese të faturave të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Me këtë masë është paraparë që fatura e energjisë elektrike e amvisërive me të ardhura më të ulëta të mbulohen nga 600 deri 800 denarë. Bekteshi tha se këto dy ditë pritet që të arrijnë edhe 100 deri në 200 kërkesa nga aplikantët të cilët aplikimet e tyre i kanë dërguar me postë.
ERSAN PAJAZITI
