Maqedoni

Ligji i shtetësisë, ASh: Padrejtësisht bllokohen 20 mijë qytetarë

10.02.2022 15:01

Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin për pengesat burokratike në dhënien e shtetësisë....

Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin për pengesat burokratike në dhënien e shtetësisë. Sipas një njoftimi për media nga kjo parti thonë se në mënyrë krejt arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin, janë duke bllokuar mbi 20 000 qytetarë në realizimin e së drejtës së tyre themelore për shtetësi ndërsa kryeministri Kovaçevski, me apo pa dashje, konfirmoi se beteja për t’i dhënë fund problemit me shtetësitë është e drejtë dhe e domosdoshme. 
 
“Agjencia për Siguri Kombëtare në mënyrë krejt arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin, është duke bllokuar mbi 20 000 qytetarë në realizimin e së drejtës së tyre themelore për shtetësi, nga e cila varen shumë të drejta tjera njerëzore, siç janë arsimimi, puna dhe shëndeti. Një Zot e di edhe sa mijëra qytetarë tjerë kanë hequr dorë ndër vite nga e drejta e tyre, përballë obstruksioneve dhe shkeljeve të së drejtave të tyre nga administrata shtetërore.”, thonë nga ASh.
 
Ndryshe dit më parë kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi se ngecjet shkaktohen nga 20 mijë kërkesat e trashëguara nga DSK si dhe kontrollet e shtuara. Sipas tij tempoja me të cilën është punuar atëherë ka qenë më e ulët se sa tempoja me të cilën punohet tani, sa i takon kontrollimit të kërkesave. Ndryshimet në ligjin për shtetësi u miratuan në gusht të vitit të kaluar. Për marrjen e dokumentit nevojitet dorëzimi i vetëm një nga 16 dokumentet që kërkohen sikurse certifikata e lindjes, dëftesë shkollës së mbaruar, dëshmi për punë, tatim të paguar etj. Ndërsa qytetarët përgjigjen duhet ta marrin për gjashtë muaj.
 
NAIM RAMADANI