Maqedoni

Covid 19, të hënën nis test screening-u rastësor

11.02.2022 17:12

Të hënën në vend do të nis test skrining-u rastësor, i cili duhet të tregojë nëse dhe çfarë lloj imuniteti ndaj COVID-19 ka popullata...

Një testim i tillë do të ndihmojë  Komisionin për Sëmundje Infektive dhe institucionet e tjera shëndetësore, për të planifikuar aktivitetet dhe masat eventuale të ardhëshme. Testimi është planifikuar të bëhet prej 1000 të anketuarve në Shkup, por ekziston mundësia që të zgjerohet në të gjithë vendin për të marrë të dhëna më reale për imunizimin e popullatës deri në këtë  moment.
 
Kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski  paraprakisht informoi se një test i tillë është bërë para një viti dhe ka treguar se rreth 30 %  e të anketuarve janë zeropozitiv, përkatësisht kanë pasur imunitet. Më pas, siç tha ai, imuniteti i tyre ishte vetëm për shkak të sëmundjes.
 
Sigurisht që KSI nuk pretendon se me një mijë të anketuar nga Shkupi ose dy deri në tre mijë nga i gjithë vendi, të kenë  të dhëna të sakta, por do të kenë një udhërrëfyes të nevojshëm për të planifikuar  masat e radhës. 
 
Ndërkohë në vend, përvec varianteve të ndryshme të virusit Korona, në këtë periudhë është i pranishëm edhe gripi sezonal me simptoma të ngjashme me Covid 19, gjë që shkakton huti tek qytetarët.  Në javën e parë të shkurtit, në vend janë raportuar 133 raste me simptoma  të ngjashme me gripin, një rënie kjo gjithsesi prej 47.4% krahasuar me javën e kaluar.
 
Gjatë javës që lamë pas, në laboratorin e virologjisë të ISHP-së kanë mbërritur 576 materiale për testimin laboratorik të gripit, nga të cilat, 6 nga survejanca sentinel SARI, janë testuar paralelisht për gripin dhe COVID-19. Tek këto testime nuk u  zbulua asnjë rast pozitiv.
 
Numri i personave të sëmurë nga gripi këtë javë krahasuar me vitin e kaluar  është rritur 3 herë, por  krahasuar me të njejtën periudhë të kurbës tipike të epidemisë  të modeluar nga 10 sezonet e fundit, ka një  rënie prej 95.3%. Incidenca e raportuar është nën kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, pra ende nuk është arritur pragu për të hyrë në sezonin e gripit. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI