Maqedoni

Gjykimi për rastin “Titanik”, tetë të akuzuar pranojnë fajin

11.02.2022 19:14

Në gjykimin e sotëm për rastin Titanik ish zyrtarët qeveritarë Mile Janakieski, Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer...

Në gjykimin e sotëm për rastin Titanik ish zyrtarët qeveritarë Mile Janakieski, Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer dhe pesë të akuzuar të tjerë kanë pranuar fajin për parregullsitë zgjedhore . Ata kërkuan falje publike.
 
Me këtë, u pranuan veprat e falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave, vepra penale me çka u ngarkuan ish-zyrtarët për manipulim të listave për persona nga Pusteci të cilët në vitin 2013 votuan në Qendër.
 
Prokurorja Lile Stefanova kërkoi dënim me kusht për Jankullovskën dhe Protugjerin dhe zbutje të dënimit për Janakieskin. Ish-zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, Kiril Bozhinovski, të cilët po ashtu akuzohen në “Titanik” sot para gjykatës janë deklaruar të pafajshëm.
 
Për ta do të ndahet lënda. Përkundër faktit se ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski ka pranuar fajësinë për parregullsitë zgjedhore, ai do duhet të vijë në gjykatë për t’u gjykuar për rastin “Titanik”, sepse nuk e ka pranuar fajësinë për veprën e keqpërdorimit të mjeteve financiare për fushatën zgjedhore të vitit 2012.
 
Në këtë rast janë akuzuar gjithsej 21 persona, ndër të cilët edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Ata ndiqen penalisht për disa vepra si bashkim kriminal, cenim i të drejtës së votës, cenim i lirisë së zgjedhjes së zgjedhësve, ryshfet në zgjedhje dhe votim dhe asgjësim i materialit zgjedhor.