Tahiri: Pa e njohur Kosovën, s’ka BE për Serbinë
Ministrja e Shtetit, Edita Tahiri, e cila do ta drejtojë nivelin teknik të dialogut me Sërbinë, në një intervistë për Epokën e Re...

Ministrja e Shtetit, Edita Tahiri, e cila do ta drejtojë nivelin teknik të dialogut me Sërbinë, në një intervistë për Epokën e Re, ka thënë se Serbia është e detyruar ta respektojë parimin e fqinjësisë së mirë me Kosovën.
Tahiri ka thënë se respektimi i këtij parimi nga Serbia nënkupton njohjen e shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Serbia duhet ta harrojë anëtarësimin në BE nëse nuk e njeh Kosovën si shtet.
Ndërkaq duke folur për dialogun politik me Serbinë, që pritet të rifillojë në shkurt të vitit 2015, Tahiri ka thënë se qysh në takimin e parë do të kërkojnë nga Brukseli që Serbia t’i respektojë marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Tahiri ka treguar se, përveç kryeministrit Isa Mustafa që do ta drejtojë dialogun politik me Serbinë, pjesë e këtij ekipi do të jetë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Ministrja e Shtetit ka bërë me dije se në Bruksel do të diskutohet për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, sipas saj, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Në këtë aspekt, Tahiri e ka quajtur iluzionist Aleksandër Jabllanoviqin, aktualisht ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, i cili ka deklaruar se ky asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive.
