SHBA, por edhe RMV dhe Shqipëria apel qytetarëve: Largohuni nga Ukraina, mund të sulmojë Rusia!
SHBA dhe disa vende të Evropës dhe rajonit, përfshirë edhe vendin tonë dhe Shqipërinë....

SHBA dhe disa vende të Evropës dhe rajonit, përfshirë edhe vendin tonë dhe Shqipërinë kanë ftuar qytetarët e vedneve të tyre që të largohen nga Ukraina, nga frika e invazionit rus.
SHBA-të kanë thënë se në çdo moment mund të ndodh invazioni rus.
“Edhe më tej shohim forca të reja që arrijnë afër Ukrainës. Invazioni rus mund të fillojë në çdo moment. Nëse vendos presidenti Putin kjo është e mundur edhe këtyre ditëve” – tha Sekretari shtetëror i SHBA-ve, Antony Blinken.
Këto qëndrime SHBA-të i bazojnë në informacione të zbulimit. Ndërkohë Rusia kritikoi vendet perëndimore dhe mediat për përhapjen e një "fushate dezinformimi në shkallë të gjerë" mbi një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se ata po e bënin këtë "për të larguar vëmendjen nga veprimet e tyre agresive".
Deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse vjen vetëm disa orë përpara një telefonate të pritshme midis presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentit rus, Vladimir Putin. “Në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022, hapësira globale e informacionit u përball me një fushatë mediatike të paprecedentë, qëllimi i së cilës është të bindë komunitetin botëror se Federata Ruse po përgatit një pushtim të territorit të Ukrainës”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë me shkrim.
Por qeveria e Ukrainës i ka ftuar qytetarët e saj të jenë të qetë dhe të bashkuar, duke theksuar se forcat ushtarake ukrainase janë të gatshme që ti përballen çdo sulmi të vendit.
“Tani është kyçe të mbetemi të qetë dhe të bashkuar në vend dhe të shmangim aktivitete që e cënojnë stabilitetin dhe përhapin panikë”, - thuhet në njoftimin e minsitrisë së punëve të jashtme të Ukrainës. (Flutura Latifi, TVM2)
