Kuvend, Selmani: Bllokimi për interesa partiake
Bllokimi i funksonimit të kuvendit....

Bllokimi i funksonimit të kuvendit, në veçanti të komisioneve si pasojë e minorizimit të fuqisë së shumicës, por edhe në komisionet që udhëhiqen nga opozita, bëhet për interesa partiake në disfavor të funksionimit të demokracisë e në dëm të qytetarëve.
Vleresimin e tillë, profesori universitar Bashkim Selmani e bazon në mungesën e demokracisë konsensuale në kuvend ndër vitesh.
Selmani thotë se partitë duke parë interesat personale ngecin në miratimin e ligjeve thelbësore për qytetarët.
“Fatkeqësisht demokracia konsensuale në Maqedoni është dëshmuar se është jofunksionale dhe në shumicën e rasteve, po ta analizojmë edhe në prizmën tjetër, do të shohim që gjithmonë këto dy tabore asnjëherë nuk kanë gjetur rrugën e përbashkët për interesin e qytetarit. Thjesht janë indikacione që flasin për interesat grupore dhe partiake se sa për interesin e përgjithshëm kolektiv me të cilin në shumicën e rasteve jo vetëm që pengojnë zhvillimin dhe forcimin e demokracisë, po pikërisht ata që kanë detyrim për të forcuar demokracinë janë ata që e pengojnë.” – tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Bllokimi i Kuvendit, Selmani skeptik në zgjidhjen e situatës
Këto pengesa, apo abuzime në shumicën e rasteve nga kuvendi reflektohet edhe në institucione të tjera thotë Selmani, i cili shpreh dozë skepticizmi në tejkalimin e situatës së shpejti.
“Në demokraci ka një rregull që thotë: toleranca dhe bashkëpunimi ka shpëtuar njerëzimin, faktikisht këto dy lloj role funksionale në kuvend as që njohin tolerancën, as që njohin bashkëpunimin, por as që njohin edhe dëmet që u shkaktohen qytetarëve. Prandaj do të shohim në vijim se si do të jetë dhe si do të funksionon, por megjithatë është mënyra më e mirë që të jenë veprimet konsensuale për të arritur qëllimin e duhur sepse kjo nuk shkon në interes as të qytetarëve por as dhe të dinjitetit të funksionimit të deputetëve.” – u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Shumica parlamentare nuk pasqyrohet në shtatë komisione kuvendore, sikurse komisioni për zgjedhje dhe emërime, komisionin për mbrojtje, pushtetin lokal.
Në komisionin për zgjedhje dhe emërime, në mungesë të shumicës, pas kalimit të Lëvizjes Besa në opozitë, është bllokuar përzgjedhja e gjykatësve të gjykatës kushtetuese. Tensionime janë regjistruar edhe në komisionin për sistem politik si dhe komisionin për punë të jashtme, e kryesuar nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Në këtë komision për gjashtë muaj zvarritet emërimi i ambasadorëve të ri. (Meral Ismaili, TVM2)
