Botë

Përmbyset autobusi shqiptar në Tivar, rruga e ngushtë

27.12.2014 16:04

Një autobus përplot me turistë shqiptarë, të cilët mbrëmë ktheheshin nga Dubrovniku për në Shqipëri, ka dalë jashtë rruge, në një zonë mes Tivarit dhe Ulqinit...

Aksidenti ka qënë fatal për 30-vjeçaren nga Tropoja, Orina Kuça, ndërkohë qe tre persona nga 30 te plagosurit kanë dëmtime serioze, edhe pse gremina ku ka rënë autobusi nuk ka qënë më e thellë se pesë metra.
 
Sipas udhëtarëve dëshmitarë shkaku për aksidentin ka qenë rruga jashte parametrave, rreshjet e shiut dhe borës dhe lëvizja që ka bërë autobusi për t'i shpëtuar perplasjes me një automjet tjeter, qe ka ardhur përballë.
 
"Rruga nuk kishte dritë. Një mjet i doli përpara autobusit tonë. Shoferi për të mënjanuar përplasjen manovroi lehtë djathtas, ndërkohë ne nuk po ecnim me shpejtësi të madhe. Vajza vdiq në vend, sepse pesha e karrigeve e kishte zënë ndërmjet", shprehet pasagjeri Aleks Manoli. 
 
Pas aksidentit, viktima dhe të lënduarit e tjerë janë dërguar në spitalin e Tivarit, i cili sipas drejtorit të spitalit, Dragosllav Tomanovic, nuk ka kapacitet për t’u përballur me raste të tilla, por që ka vënë në dispozicion të gjithë stafin punues për t’u dalë në ndihmë të lënduarve.
 
"Në spital janë sjellë 30 të plagosurit, tre prej tyre janë më dëmtime të rënda. Dy ndërhyrje i janë bërë njërës prej të plagosurve. Zonja është dërguar me urgjencë në Podgoricë, ndërsa dy të tjerë janë në terapi intensive. Sa u përket pjesës tjetër të të plagosurve kanë fraktura dhe trauma të ndryshme që nuk përbëjnë rrezik për jetën. Ne jemi një spital i vogël për ngjarje të tilla dhe për këtë kemi angazhuar gjithë stafin", shprehet drejtori i spitalit ne Tivar Dragosllav Tomanovic.
 
Nderkohë, policia malazeze ka nisur hetimet për ngjarjen ku është shoqëruar në polici drejtuesi i autobusit, shtetasi shqiptar Shkëlqim Çali.
 
Aksi ku ka ndodhë aksidenti është një rruge periferike e cila shfrytëzohet kryesisht për të shmang kalimin nga qendra e Ulqinit dhe per te shkurtuar distancen e rruges me rreth 25 kilometra.
 
SHPËTIM NUREDINI