Maqedoni
Arsimi profesional, MASh thellon dialogun me kompanitë dhe komunat
14.02.2022 12:23
Ministria e Arsimit nëpërmjet dialogut social me komunat dhe kompanitë, synon punësimin sa më të shpejtë...

Ministria e Arsimit nëpërmjet dialogut social me komunat dhe kompanitë, synon punësimin sa më të shpejtë të rinjve pas mbarimit të shkollimit të mesëm profesional. Për 20 ditë përpos kryeqendrës do të vizitohen shumë qytete të vendit për të bindur nxënësit që të regjistrohen në shkollat profesionale duke bërë praktikën nëpër kompani të ndryshme dhe më pas edhe të punësohen. Gjatë shkollimit nxënësit do të marrin subvencione mujore prej 3500 denarëve.
“Ministria për këtë vit shkollor ka dorëzuar pyetësor në të cilën janë përgjigjur mbi 400 kompani, 90% prej tyre përpos se janë përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative, ato janë të gatshme për të pranuar në praktikën e tyre, nxënësit të cilët do të studiojnë në arsimin e mesëm profesional.”,- tha ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Nga oda ekonomike e shohin si të rëndësishëm ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e profesioneve të ndryshme.
“Të ndryshohet të menduarit e familjeve në Maqedoni, që ndër dekadash thuhej se suksesi i një fëmija varet nga përfundimi i arsimit të lartë. Sot është e qartë se fëmija do të jetë i suksesshëm nëse menjëherë pas mbarimit të shkollës gjen punë dhe paguhet në mënyrë korrekte.”,- theksoi drejtori i Odës Ekonomike, Antoni Peshev.
Ky është viti i dytë që po realizohet kjo iniciativë. Në vitin shkollor 2021-22 numri i paraleleve është rritur nga 11 në 97 dhe mbi 200 kompani janë përfshirë në këtë proces. Profesionet më të kërkuara janë makineria, elektroteknika, kimi-teknologjia, ekonomia, tregtia dhe pylltaria për përpunimin e drurit.
MERAL ISMAILI
