Botë

Bregu Perëndimor, ushtria izraelite vret një palestinez

14.02.2022 13:01

Ushtria izraelite vrau një palestinez dhe plagosi pesë të tjerë gjatë një sulmi në fshatin Silat Al-Harithiy...

Ushtria izraelite vrau një palestinez dhe plagosi pesë të tjerë gjatë një sulmi në fshatin Silat Al-Harithiy, në veri të Bregut Perëndimor, që është i pushtuar nga Izraeli.
 
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se është vrarë 17-vjeçari Muhammad Abu Salah.
 
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze njoftoi se iu dha ndihmë pesë personave me lëndime të shkaktuara nga municionet. Mes tyre tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë.
 
Në fshatin e lartëpërmendur, forcat izraelite rrënuan shtëpinë e një të burgosuri të akuzuar për vrasjen e një koloni.
 
Korrespondenti i AA-së nga terreni raportoi se shtëpia e të burgosurit Mahmoud Jaradat u shkatërrua me eksplozivë.
 
Para rrënimit, përleshjet shpërthyen midis forcave izraelite dhe popullsisë vendase.
 
Forcat izraelite hynë në Silat Al-Harithiya dhe bllokuan hyrjen dhe daljen e automjeteve. Të rinjtë hodhën gurë ndaj ushtarëve izraelitë të cilët u përgjigjën me municion të vërtetë, gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese.
 
Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, Izraeli informoi katër familje palestineze në fshat se do të prishnin shtëpitë e tyre sepse pesë nga të afërmit e tyre u akuzuan se ishin përfshirë në të shtënat ndaj kolonëve pranë Nablusit më 16 dhjetor, në të cilën një kolon u vra dhe dy u plagosën./Top Channel