Maqedoni
Bisedimet me Bullgarinë, Mickovski: E shtrij dorën në mbrojtjen e interesit nacional
14.02.2022 16:07
Lideri i opozitës maqedonase Hrisitjan Mickovski ka shprehur gatishmëri të bisedojë me pushtetin....

Lideri i opozitës maqedonase Hrisitjan Mickovski ka shprehur gatishmëri të bisedojë me pushtetin, siç thotë ai “në interes të të vërtetës maqedonase për Goce Dellçevin dhe vlerave tjera nacionale. Sërish bën thirrje që të pranohet deklarata për Goce Dellçevin në parlament. Mund të dallohemi në politikat ekonomisë, bujqësisë, por në politikat kombëtare duhet patjetër të kemi pajtueshmëri, thotë Mickovski.
“Të mos fshihemi. Pse të fshihemi? 3+2, 5+1, 2-3?! Populli duhet ta dijë sepse mjaft janë lodhur qytetarët nga humbjet. Përfundimisht duhet t’i ndërpremë ndasitë dhe të bashkohemi rreth interesave nacionale. Unë e shtrij dorën. VMRO-DPMNE është këtu nëse konkurrentit tonë politik i bëhet e qartë se duhet të ndalet në ndjekjen e politikave të verbra zaeviste.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kovaçevski: S’jeni të sinqertë, keni refuzuar bashkëpunimin
Por, kryeministri Kovaçevski nuk beson të jenë të sinqerta qëndrimet e VMRO-DPMNE-së në lidhje me bisedimet me fqinjin lindor. I quan histerike sjelljet dhe qëndrimet e opozitës në raport me problemet dypalëshe me Bullgarinë.
“VMRO–DPMNE në periudhën e kaluar e vetmja gjë që ka bërë është krijimi i histerisë në raport me bisedimet që udhëhiqen me Bullgarinë. Gjithashtu në suaza të përgatitjeve të grupeve të punës të cilat i formuam me kryeministrin bullgar dhe anëtarët e qeverive të dy vendeve, i patëm bërë ftesë edhe opozitës. Por ata refuzuan.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Në qoftë se VMRO-DPMNE dëshiron të tregojë bashkim, për këtë ka hapësirë në Kuvend, thotë Kovaçevski, por jo me deklaratë për Goce Dellçevin, sepse kjo sipas kryeministrit, pengon bisedimet me Sofjen.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
