Maqedoni
Zjarri që la pa drita gjysmën e Shkupit, Kovaçevski: Pasojë e defektit teknik
14.02.2022 16:49
Zjarri i mbrëmshëm që shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike pothuajse në tërë kryeqytetin dhe disa vende të tjera...

Zjarri i mbrëmshëm që shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike pothuajse në tërë kryeqytetin dhe disa vende të tjera, është pasojë e defektit teknik të një largpërçuesi në Pintija. Kështu thekson kryeministri, Dimitar Kvaçevski. Ai nuk theksoi se defekti ishte i qëllimshëm, por që ekipet e MPB-së do ta kryejnë pjesën e tyre të punës.
“Bëhet fjalë për problem teknik që ndodhi në një largpërçues që e furnizon qytetin e Shkupit e që ndodhet në Pintija. Është djegur izolues i largpërçuesit me tension të lartë dhe si pasojë e saj është djegur bari përreth. Unë nuk flas për asnjë dyshim, por për procedurat e parapara me Ligj dhe udhëzimet e MEPSO-s.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Drejtori gjeneral i MEPSO-s, Orhan Murtezani, për TVM2 theksoi se defekti i mbrëmshëm është sanuar në tërësi, por që vazhdon të punohet në shkaqet që shkaktuan të njëjtin.
"Për momentin ekipe aktive në teren nuk kemi. Sanimi i defektit ka përfunduar në orën 3:30 të mëngjesit dhe e tërë rrjeti i energjisë eklektike është lëshuar në funksion. Ekipet që janë në terren janë për të mbledhur informacione të sakta se për çfarë arsye saktë ka ndodhur defekti.",- tha drejtori gjeneral i MEPSO-s, Orhan Murtezani.
Se bëhet fjalë për problem teknik ka theksuar edhe kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Bislimovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
