Maqedoni
Rezultatet kryetarëve të komunave, Kovaçevski: Asgjë nuk po bëhet nëpër komuna
14.02.2022 17:08
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, akuzon kryetarët e komunave nga radhët e VMRO DPMNE-së...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, akuzon kryetarët e komunave nga radhët e VMRO DPMNE-së se nuk po kontribuojnë në përballjen me krizën energjetike dhe atë ekonomike madje, sipas tij, bëjnë shpenzime të panevojshme për promovim të projekteve të paqena.
Rikujtoi se në komunat që kanë fituar, ata janë pushteti dhe duhet të realizojnë projektet e premtuara dhe t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve.
“Asgjë nuk po bëhet nëpër komuna. Unë jetoj në Shkup dhe shoh se premtimet që janë dhënë gjatë fushatës nuk realizohen, aspak. E vetmja gjë që marrim nga kryetarët e komunave janë kërkesa për ndihmë dhe nga ana tjetër nuk shohim asnjë nismë që kryetarët e komunave të përfshihen në përballjen me krizën ekonomike dhe krizën energjetike.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickovski: Janë ulur dodacionet për komunat
Mirëpo kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, u doli në krah kryekomunarëve të tij dhe akuzoi qeverinë se nuk po i mbështet komunat financiarisht ashtu siç ka bërë kur ato drejtoheshin nga kuadro të LSDM-së.
“Shihni transfertat dhe dodacionet që ky pushtet i ka bërë në katër vitet e kaluara, të cilat shënon rritje nga viti në vit, por atëherë shumica e kryetarëve të komunave ishin nga radhët e LSDM-së, dhe vlerësonin se dodacionet duhet të jenë më të mëdha. Por, nëse krahasoni numrin mes vitit 2021 dhe 2022, edhe pse buxheti është rritë, dodacionet për komunat janë ulë nga 316 në 312 milionë euro.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, fituese rezultoi opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE, e cila fitoi shumicën e komunave dhe Qytetin e Shkupit. Debati rreth punës së kryetarëve të rinj të komunave u hap pas përfundimit të 100 ditëve të para të qeverisjes.
SHPËTIM NUREDINI
