IN MEMORAIM

Ndërroi jetë gazetari e publicisti, Rahim Ganiu

15.02.2022 13:56

Sot ndërroi jetë kolegu yne në pension, Rahim Ganiu...

Sot ndërroi jetë kolegu ynë në pension, Rahim Ganiu. I ndjeri ka lindur në fshatin Matejç të Kumanovës më 10 mars 1942.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje  Matejç, ndërsa normalen në Shkup, për ku ka udhëtuar gati çdo ditë në këmbë për të ndjekur mësimet.

Në Shkup përfundoi edhe fakultetin filozofik. Rrahimi një kohë punoi si profesor në Gjimnazin "Zef Lush Marku", për t'u punësuar më pas në kanalin radiofonik në shqip të Radiotelevizionit publik, në fillim të viteve 1970, ku edhe dha kontribut të madh për të konsoliduar mediumin e vetëm elektronik të shqiptarëve në Maqedoni, që dëgjohej në të gjithë botën shqiptare në Ballkan, përmes emisioneve nga lëmia e arsimit dhe kulturës. Përveç detyrës së gazetarit ai ka ushtruar edhe postet e redaktorit dhe te kryeredaktorit të Radio Shkupit.

Pensionohet duke e përmbyllur punën e tij aktive profesionale në vitin 2004. Pensionimi nuk ishte edhe fundi i angazhimin të tij krijues. Rahimi iu qas edhe më shumë krijimtarisë kryesish letrare, eseistike dhe filozofike. Është shpërblyer edhe me një varg çmimesh për poezi.

Rrahim Ganiu la pas vetes shumë  vepra artistike-letrare, romane, përmbledhje poetike dhe studime nga fusha e filozofisë, të cilave iu përkushtua deri në ditën e fundit të jetës. Varrimi i të ndjerit u bë sot në Shkup.

TVM2 i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve të tij.