Mickovski: VMRO e gatshme për unitet nacional, të pranohet deklarata për Goce Dellçevin
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski...

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, shprehet i gatshëm për dialog me pushtetin, por kërkon nga qeveria t’i mbrojë interesat nacionale. Mickovski thotë se është i gatshëm të angazhohet për ndërtimin e unitetit nacional, që të ndërpriten tensionet politike dhe të mos pësojnë qytetarët, por sipas tij LSDM dhe kryeministri Kovaçevski po largohet nga uniteti nacional.
“Ajo që na shqetëson është se në kontinuitet pikërisht LSDM dhe ky pasuesi i verbër i zaevizmit Kovaçevski, gjithnjë e më shumë po largohen nga nevoja e konsensusit nacional, për çështje që janë me rëndësi esenciale për popullin dhe ardhmërinë e përbashkët. Kontesti me Bullgarinë mbetet i hapur dhe gjithnjë e më i thellë.”,- tha Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.
Mickovski nuk ndan qëndrimin me Kovaçevskin se uniteti arrihet në Kuvend. Nëse është kështu atëherë ai kërkon ta pranojnë deklaratën për Goce Dellçevin thotë kreu i VMRO-së.
LSDM: Deklarata e VMRO-së imponim dhe na kthen pas
Por nga LSDM si parti dhe koalicion refuzojnë miratimin e një deklarate të tillë.
“Grupi ynë parlamentar dhe koalicioni, kemi qëndrim të qartë lidhur me këtë imponim të deklaratës për figurën tonë historike Goce Dellçev dhe mbetemi në atë. Na pengon se me deklaratë dëshirojmë të kthehemi pas. Atë që ne për Gocen e kemi në himnin tonë, në emërtimin e rrugëve, shkollave, festimet për Goce Dellçevin dhe respektin për të me të vërtetë do të thotë kthim prapa.”,- theksoi Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
Por Mickovski ironizon se nëse LSDM me unitet nacional nënkuptojnë miratimin e Ligjit për marihuanën, atëherë siç tha ai për 100 vite nuk do të pajtohen. E nëse fshehurazi janë marrë vesh me Bullgarinë, atë duhet ta thonë thekson Mickovski.
“Nëse në mënyrë të kontrabanduar janë marrë vesh me Bullgarinë, atë duhet ta thonë qatë që tani, pasi qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, një marrëveshje të tillë të kontrabanduar nuk ka për qëllim ta respektojë.”,- u shpreh Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.
Por, nga LSDM thonë se partia e Mickovskit po punon në dëm të qytetarëve, nuk kujdeset për interesat dhe mirëqenien e tyre, por me anë të manipulimeve politike dëshiron të përfitojë pikë politike. (Sanije Duraku, TVM2)
