Botë
Rama në Nju Jork: Shqipëria, anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
15.02.2022 15:05
Kryeministri, Edi Rama, ka folur në pritjen e mbrëmshme të organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork....

Kryeministri, Edi Rama, ka folur në pritjen e mbrëmshme të organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Rama u shpreh se ndër vite, Shqipëria i ka parë të gjitha, luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar dhe varfërinë e skajshme. Rama vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike.
“Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje, dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë. Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës. Diktatura u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria në këtë periudhë ka të drejtën e një vote në vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit. Autoritetet shqiptare kanë thënë se gjatë mandatit dy vjeçar do të punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Kryeministri Rama dhe ministrja Olta Xhaçka patën një takim formal me sekretarin e Përgjithshëm të OKB Antonio Gutierres, ku diskutuan sigurisht edhe për Ukrainën. Ndërsa Pjesë e vizitës në SHBA është edhe takimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Uashington.
REXHEP QAMILI
