Botë

Bota me sy nga Ukraina, Rusia njofton tërheqjen e një pjese të ushtrisë

15.02.2022 15:53

Sytë e opinionit botëror vazhdojnë të jenë nga Ukraina edhe pse situata orëve të fundit duket se po shkon drejt zbutjes...

Sytë e opinionit botëror vazhdojnë të jenë nga Ukraina edhe pse situata orëve të fundit duket se po shkon drejt zbutjes, pas njoftimit të Rusisë se ka nisur tërheqjen e disa trupave nga kufiri me Ukrainën. Por, nga Moska thonë se trupat ushtarakë të tyre do të vazhdojnë stërvitjet brenda territorit të Rusisë.
 
“Është e drejta jonë, të stërvitemi në shtëpinë tonë, në territorin ku vlerësojmë se është e përshtatshme dhe ajo nuk është temë diskutimi për askënd. Gjithmonë kemi thënë se pas mbarimit të stërvitjeve, ushtarët do të kthehen. Sa u përket përrallave horror se Rusia mund ta sulmojë Ukrainën, ju kisha lutur që të kontaktoni me autorët e këtyre përrallave përtej oqeanit, të cilët përsërisin që lufta të fillojë sa është e mundur më shpejt.”,- deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
 
Lëvizjet e raportuara bien ndesh me paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe se Rusia mund të jetë e gatshme të pushtojë Ukrainën në çdo kohë. Nga ana tjetër, Ukraina nuk beson se forcat ruse kanë nisur të tërhiqen nga kufiri i saj.                       
           
“Ne kemi një rregull, nuk besojmë në atë që dëgjojmë, por atë që shohim. Kur ta shohim tërheqjen, ne atëherë do të besojmë në depërshkallëzim.”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
 
Ai ka thënë se Ukraina është duke përcjell rrugën diplomatike që bashkë me aleatët të punojë në parandalimin e eskalimit. Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke përfshirë një kontingjent të madh për stërvitje të përbashkëta në Bjellorusi deri më 20 shkurt, që do të thotë se Ukraina është pothuajse e rrethuar nga ushtria ruse. Moska e ka mohuar ndonjëherë planifikimin për të sulmuar Ukrainën, por po kërkon garanci ligjërisht të detyrueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO që Kievit nuk do të lejohet të bashkohet me bllokun ushtarak. Uashingtoni dhe Brukseli deri më tani kanë refuzuar të bëjnë premtime të tilla.
 
BELINDA KOKA ADEMI