Maqedoni
KSI: Gjendja me pandeminë po përmirësohet, janë rritur infektimet te moshat shkollore
15.02.2022 17:27
Javën e fundit ka shënuar rënie numri i përgjithshëm i të infektuarve me Kovid-19...

Javën e fundit ka shënuar rënie numri i përgjithshëm i të infektuarve me Kovid-19, por numri i rasteve pozitive te grupmoshat prej 6 deri në 14 vjeç, ka shënuar rritje. Kështu bëjnë të ditur nga Komisioni për Sëmundje Infektive, duke theksuar se gjendja megjithatë nuk është alarmante.
“Po vërehet zvogëlim i numrit të përgjithshëm të personave të infektuar dhe përmirësim i gjendjes epidemiologjike, por kjo nuk na jep të drejtë të themi se gjendja është e mirë. Për këtë na përkujton grupmoshat prej 6 deri në 14 vjeç ku vërehet rritje e rasteve të reja. Ata janë fëmijë të moshës shkollore të cilët e ndjekin mësimin me prezencë fizike. Por, këtu ende nuk ka vend për shqetësim, po ndiqet gjendja. Apelojmë t’i ndjekin me përpikëri protokollet për ndjekjen e mësimit me prezencë fizike dhe apelojmë edhe te nxënësit edhe te arsimtarët ta pranojnë testimin.”,- deklaroi kryetari i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski.
Komisioni për Sëmundje Infektive njëherit propozon që edhe fakultetet të realizojnë procesin arsimor me prezencë fizike, ndërsa profesorët dhe studentët të arsimohen.
Apel te qytetarët që të vaksinohen
Nga Komisioni për sëmundje infektive apelojnë te qytetarët të vaksinohen përfshi edhe marrjen e dozës së tretë.
“Të gjitha analizat sa i përket vdekshmërisë në vend tregojnë qartë faktin se numri më i madh i të vdekurve nga Kovid-19 janë persona të pavaksinuar ose jo të vaksinuar me dy doza para gjashtë muajsh. Nuk ka të vdekur persona të vaksinuar me dozën e tretë pa komorbilitete, ndërsa edhe në trajtim spitalor numri është tejet i ulët. Doza e tretë mbron në mënyrë efikase nga hospitalizimi apo vdekja.”,- u shpreh kryetari i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski.
Njëherit Ptliçkovski theksoi se në realizim e sipër është skriningu serologjik në disa lokacione në Shkup, sipas përzgjedhjes rastësore. Të hënën janë bërë 200 teste nga 1.000 sa do të realizohen gjithsej në Shkup.
Ndryshe, nga 7 deri më 13 shkurt janë regjistruar 8.638 raste të reja me Kovid-19, apo 13,4% më pak se një javë më parë kur kishte 9977 të infektuar. Në këtë periudhë u raportuan 124 vdekje apo 32,6% më pak se një javë më parë. Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se pothuajse 10.000 persona u “shëruan”, 1,236 qytetarë u ri-infektuan, ndërsa gjashtë prej tyre për herë të tretë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
