Kërçovë, Dehari priti ambasadorin japonez

15.02.2022 18:27

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari....

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot priti ambasadorin e Japonisë, Savado Hironora, me të cilin firmosi donacionin prej 100 mijë eurosh për rikonstruimin e Shkollës Fillore “Dr. Vlladimir Polezhinoski” të Kërçovës.

Ky donacion është shumë i rëndësishëm për shkollën, sepse ndërrimi i dyerve dhe dritareve do të rrisë efikasitetin energjetik në këtë periudhë të krizës së përgjithshme energjetike.

“Mbështetja për Shkollën “Dr. Vlladimir Polezhinoski” realizohet në kuadër të iniciativës për Ballkanin Perëndimor. Japonia është e përkushtuar në mbështetjen ekonomike dhe sociale për vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin e tyre në BE.”,- tha ambasadori i Japonisë, Savado Hironora.

Programi japonez për grande të vogla, që nga viti 1996 ka mbështetur projekte kapitale në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe ambientit jetësor.

Gjatë këtij viti, ambasada e Japonisë do të mbështesë  projekte që kapin shumën 825 mijë euro. (Shaban Dalipi, TVM2)