MPB: Pjesëtarët e sektit Lev Tahor u sollën në Shkup

15.02.2022 18:44

Pjesëtarët e sektit fetar hebre, Lev Tahor.....

Pjesëtarët e sektit fetar hebre, Lev Tahor, janë zhvendosur nga Kumanova në Shkup, pasi në Kumanovë nuk u pritën mirë, ka bërë të ditur të martën Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky sekt fetar prej 30 personash, në vend ka hyrë më 5 shkurt përmes Aeroportit të Shkupit.

“Zhvendosja e tyre nga Kumanova në Shkup ka ardhur për shkak të rritjes së gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve në rrjetet sociale ndaj këtyre personave, e sidomos pasi u zbulua shtëpia ku ata po qëndronin, e cila u qëllua me vezë dhe gurë, gjë që rrezikonte sigurinë e jetës së tyre.”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas policisë, zhvendosja e tyre nga Kumanova në Shkup është bërë me autobusë.

MPB bëri të ditur se ata kanë leje qëndrim të përkohshëm dhe mund të qëndrojnë 90 ditë, dhe se nuk paraqesin asnjë rrezik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Këta persona respektojnë ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi këtu është plotësisht i ligjshëm. Ata kanë qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Grupi i përmendur nuk paraqet asnjë rrezik dhe apelojmë për tolerancë dhe solidaritet ndaj tyre.”,- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga MPB-ja nuk komentuan njoftimet se grupi mund të largohet nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë. Sipas Policisë, grupi përfshin shtetas amerikanë, kanadezë, belgë dhe amerikano-jugorë.