Komunat kërkojnë ndihmë, Qeveria: Të ulin shpenzimet, të mbledhin taksat

16.02.2022 15:26

Komunat kanë kërkuar që Qeveria....

Komunat kanë kërkuar që Qeveria t'i ndihmojë të përballojnë shpenzimet në këtë periudhë krize. 

Kryeministri Kovaçevski thotë se qeveria sigurisht që do t’u dalë në ndihmë, por vetëm nëse ulin shpenzimet e panevojshme dhe fillojnë të mbledhin taksat.

Sipas tij aktualisht komunat grumbullojnë vetëm 47% të taksave e kjo duhet ndryshuar. Iu përgjigj pozitivisht kërkesës së  BNJVL-së për takim urgjent me Qeverinë, por u tha se duhet të sillen me përgjegjësi.

Akuzoi gjithashtu shumë kryetarë komunash për premtime joreale gjatë fushatës zgjedhore.

“Në këtë krizë, të gjithë duhet të kontribuojnë me punën dhe sjelljen e tyre në tejkalimin e sfidave. Së pari, premtimet në programet zgjedhore, para se të hidhen në letër , duhet menduar se si do të financohen ,  tani shohim që premtimet  nuk mund t'i gjesh as në internet. Kur është bërë buxheti  i RMV-së, është paraparë një zë për ballafaqim me krizën dhe mendoj se të njëjtën gjë është dashur ta bëjnë edhe komunat” – tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Mickoski: Faturat rriten, Qeveria zvogëlon grantet

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski,  akzuoi sërish se komunat kanë fatura pesëfisht më të larta për energji, kurse Qeveria zvogëlon grantet.

“Kriza energjetike është nga viti i kaluar kur përgatitej buxheti. Një qeveri serioze, që mendon për popullin, e di se do të ketë krizë energjetike dhe në vend që të keqpërdoret për kontratat në 4 sy në REK Manastir, dhe komisionet të përfundojnë në valixhe më të mëdha për “ familjen,  duhej  të kujdeset se si të rrite grantet  për komunat në buxhet” – deklaroi Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ripërsëriti se nga viti 2018 deri në vitin 2021 grantet nga buxheti qendror për secilën komunë janë rritur çdo vit, kurse këtë vit grantet janë më të vogla, nga 316 në 312 milionë euro. (Rexhep Qamili, TVM2)