Maqedoni
Gjendja e krizës termike në Shkup, Qeveria propozon vazhdimin e afatit
16.02.2022 17:00
Qeveria i propozon Kuvendit vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në zonën e Qytetit të Shkupit...

Qeveria i propozon Kuvendit vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në zonën e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësinë e përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe gjendjeve të tregut të energjisë termike. Nevoja për vazhdimin e gjendjes së krizës, sipas Qeverisë, vjen për shkak se Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të tij janë deklaruar se nuk mund të ofrojnë shërbimin për furnizim me energji termike për shkak të rritjes së çimit të gazit, naftës dhe mazutit. Nëse nuk ndërmerrej një masë e këtillë nga Qeveria, ose çmimi i energjisë termike do të rritej për 40% ose sistemi i energjisë elektrike në kryeqytet do të pësonte kolaps, thotë ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“Vetëm dy ditë mos kishte furnizim me ngrohje qëndrore, të cilën ndoshta Qyteti I Shkupit nuk e ka pasë në dijeni, atëherë do të kishte rënë i gjithë ssistemi elektroenergjetik në RMV-së, për shkak se trafostacionet në kuadër të këtyre komunave nuk mund të marrin kapacitete shtesë duke u transferuar nga ngrohja qëndrore në ngrohje me energji elektrike.”, tha KreshnikBekteshi, ministër i ekonomisë
VMRO: Shfrytëzoni krizat për të keqpërdor buxhetin
Opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO-DPMNE deklaroi se nuk do të pengoj vazhdimin e afatit të krizës në zonën e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë termike, por akuzoi qeverinë se po shfrytëzon krizat për të keqpërdorë para buxheti.
“Qeverisë, disi i pëlqyen këto shpalljet e gjendjes së krizës, sepse i shfrytëzon për pompim të parave buxhetore të qytetarëve, pa transparencë. Pra, gjendja e krizës u mundëson që të transferojnë para pa e ditë askush dhe pa pasë nevojë për pëlqimin e askuj.”, tha Brane Betrushevski, deputet i VMRO DPMNE-së.
Të gjithë deputetët e VMRO DPMNE-së janë paraqitur për diskutim për propozimin e Qeverisë për vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në zonën e Qytetit të Shkupit. Konsiderojnë se, fakti që Qeveria, aktualisht, ka shpallur katër gjendje krize, si: kriza e migrantëve, kriza e pandemisë, kriza energjetike dhe së fundmi kriza termike në Qytetin e Shkupit, dëshmon se Qeveria nuk është dëshmuar efikase në menaxhimin e situatave.
Kryeparlamentari Xhaferi njoftoi se, pavarësisht dëshirës për debat, Kuvendi duhet të vendos për vazhdimin e gjendjes së krizës, më së voni, deri të enjten në mesnatë.
SHPËTIM NUREDINI
