Maqedoni
Tetovë, Kasami pret Mickovskin: Biseduam për aktivitete të përbashkëta
18.02.2022 15:53
VMRO DPMNE dhe Lëvizja Besa kanë rënë dakord që të koordinojnë veprimin politik opozitar...

VMRO DPMNE dhe Lëvizja Besa kanë rënë dakord që të koordinojnë veprimin politik opozitar, i cili do të çonte deri në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mundësia dhe modalitetet e bashkëveprimit janë diskutuar në takimin e kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që u realizua në Komunën e Tetovës.
“Biseduam dhe u koordinuam që në ditët në vazhdim të kemi aktivitet apo koordinime të përbashkëta në drejtim të imponimit të zgjedhjeve të parakohëshme që vullneti i qytetarëve të vijë në shprehje edhe në pushtetin qëndror.”, tha kryetari i Lëvizjes “BESA”, Bilall Kasami.
Mickovski: Aktivitete për zgjedhje të parakohëshme
Kreu i VMRO-së nuk përjashtoi mundësinë që aktiviteti i frontit opozitar të radikalizohet. Është i zhgënjyer që partitë në pushtet, në vend të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, kanë zgjedh të vazhdojnë qeverisjen, edhe pse sipas Mickovskit, janë dënuar në zgjedhjet lokale.
“Nëse mendoni se ata do të largohen vetë, po ju them se nuk do të largohen, prandaj ne si opozitë kemi mjetet dhe metodat tona institucionale dhe jashtëinstitucionale të luftojmë për atë që mendojmë se populli e pret nga ne dhe ne duhet të jemi në anën e popullit. Mos na ndodh që të digjen njerëz si në spitalin modular këtu dhe të mos na përsëritet Besa Trans, siç ishte rasti në Sofje.”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Krerët e dy partive opizitare kanë diskutuar edhe rreth procesit eurointegrues të vendit, krizën ekonomike dhe atë energjetike. Si parti që menaxhojnë edhe një numër të konsiderueshëm komunash Kasami dhe Mickovski kanë diskutuar edhe për çështje dhe sfida me të cilat përballet pushteti lokal.
SHPËTIM NUREDINI
